Riza Murati, shef i Sektorit Qendror të Hetimeve të Trafikimit me Qenie Njerëzore në Policinë e Kosovës, ka thënë folur për fushatën një mujore kundër trafikimit me njerëz në Ditën e BE-së Kundër Trafikimit me Njerëz.
Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka theksuar se qëllimi i kësaj fushate është ngitja e vetëdijes dhe sensibilizimit të qytetarëve për të reaguar në situata të dyshimta të trafikimit me qenie njerëzore.
“Fushata nuk do të jetë vetëm këtë muaj, do të ketë aktivitete të vazhdueshme, këtë do ta bëjmë në veçanti si polici do t’i vazhdojmë aktivitetet. Krejt këto për t’u ngritur vetëdija e qytetarëve që të reagojnë në rastet e dyshimta të shfrytëzimit të njerëzve,që është një prej veprave më të rënda të shkeljes së drejtave të njeriut”, ka thënë Murati.
Murati ka deklaruar se Policia e Kosovës vazhdimisht merr masa që të ndalohet dhe parandalohet kjo dukuri.
“Ne si polici duke e parë situatën në Kosovë dhe shfaqjen e kësaj dukurie, kemi marrë masa të organizmit tonë shtetëror, duke e profilizuar një drejtori në hetimin e rasteve të trafikimit me njerëz dhe vepra”.
“Për një vit, kemi 18 viktima zyrtare të trafikimit, 244 persona janë arrestuar nën dyshimin për trafikim dhe vepra që ndërlidhen me trafikim, kemi ndërmarrë operacione në kontrollimin e lokaleve dhe vendeve ku dyshojmë se viktimat janë duke u përdorur për trafikim”, ka thënë Murati./Klankosova.tv


















