Nëse po e kërkoni emrin e autorit të këtij shkrimi, atë nuk do ta gjeni. Autori pret që ju, lexuesit, ta njihni dorën e tij në bazë të stilit, mënyrës së si shkruan, ku i vë presjet, sa e zgjatë fjalinë, cfarë fjalësh përdorë etj. Një gjë e tillë është pak si shumë pretenduese, por nuk janë të rralla rastet kur ne të gjithë i lëmë gjurmët tona origjinale në veprat tonë. Identifikohemi në bazë të stilit, ose edhe në mungesë të stilit.
Mbrëmë, dhe sot, derisa po e ndiqja kryengritjen primitive, njëfar lloj puçi ushtarak, që po zhvillohej në Presidencë, Qeveri dhe Kuvend të Kosovës, po mendoja për regjisorin e saj. Cili ishte ai? A kishte gjurmë aty?
Siç është thënë tashmë disa herë gjatë këtyre 24 orëve të fundit, askush nuk e vë në dyshim se shfaqja i kishte tre akterë, Presidentin Thaçi, Kryeministrin Haradinaj dhe Kryeparlamentarin Veseli.
Por cili nga kjo treshe e orkestroi këtë kryengritje të palavdishme? E kujt ishte vula?
Për të mësuar këtë, duhet ta kthejmë kokën nga e kaluara, për t’i shikuar veprat e këtyre tre liderëve, kush prej tyre me çfarë shquhet. Aty na pret e vërteta.
Gjatë dhjetë viteve të fundit, jo me vepra të përmasave sa kjo e mbrëmshmja, por me stil identik, e kemi parë Hashim Thaçin duke provuar t’i ekzekutojë inspirimet e tij, kryesisht gjatë natës.
Herën e parë një gjë e tillë kishte ndodhur në mandatin e tij të parë si Kryeministër, kur për shkak të disa mosmarrëveshjeve që kishte pasur me partnerin e atëhershëm, LDK’në e Fatmir Sejdiut, i kishte nxjerr nga bodrumi i Zanzibarit, ndoshta pak në gjendje të dehur, asistentët e tij nga partia, për t’i treguar botës se ra Qeveria, se ra Presidenca. Kjo përmbysje kishte zgjatur deri në orët e mëngjesit, kur pastaj çdo gjë ishte qetësuar.
E kemi parë Hashim Thaçin edhe në aventura të tilla të tjera, kur provon që t’u jap rrugë problemeve në mënyrë të rrufeshme. Kishte dalë në një intervistë në RTK, në një natë të bukur, dhe kishte thënë që nëse Kuvendi nuk e aprovon një ligj të tij për ushtrinë, ai do të jepte dorëheqje, sepse nuk do të donte të ishte pjesë e institucioneve të këtilla. Ai është edhe më tutje President, kurse ushtria e vetme në Kosovë është ajo e forcave të KFOR’it.
Thaçi është dritëshkurtër. Ai nuk ka vizione, ka vegime. Nuk ka strategji, ka instikt. Për të nuk ka njerëz, ka mjete.
Kjo është vula e tij. Këtë gjurmë e kishte aksioni i mbrëmshëm.
Sigurisht që nuk ishin pa përgjegjësi mbrëmë as Veseli dhe Haradinaj, ndonëse më shumë dukeshin si viktima të radhës të Presidentit Thaçi. Megjithatë të qenurit naiv, leshko, nëse vihesh në lojë nga të tjerët, kjo nuk të amniston nga asgjë.
Prandaj Haradinaj dhe Veseli përveç viktima të radhës të Thaçit, janë barabarësisht fajtorë me ketë recidivist të pashpresë, z. Thaçin, pse ne e jetuam një natë plot ankth, pse ne dhe familjet tona i dëgjuam ambasadorët e ambasadave mike të na rikujtojnë rrezikun që na kanoset nëse këta tre burra të shtetit do ta finalizonin me sukses invazionin ndaj drejtësisë, që ta dëgjonim ambasadorin amerikan tek thotë që po ia ngulnim Amerikës një thikë pas shpinës, që të dëgjonim e lexonim njerëz që po flisnin me frikë për çfarë po ndodhte në institucionet tona.
Të tretë këta janë të bindur që ne jemi vetëm sende që flasim, e jo njerëz. Janë të bindur që këta janë pronarët tonë, që mendojnë për ne dhe mbi ne. Një arrogancë të tillë ne nuk e kemi parë asnjëherë në këto 17 vjet të pasluftës. Tre burra që vrapojnë si të shkalluar prej një zyre në një tjetër, me fytyra të vërenjtura prej halleve të mëdha, tre burra që ua tregojnë gishtin e mesëm ambasadorëve të shteteve mike, kur këta shkojnë në mes të natës për t’u thënë që të mos nxitohen me vendime që do të kishin pasoja për të ardhmën e Kosovës.
Mirëpo, a bisedohet në mënyrë racionale me tre të dehur, jo nga alkooli sa nga deliri i madhështisë që e kanë për vetën, të dehur nga mungesa e respektit që e kanë për ne, që në sytë e tyre, ne duhet të jemi të lumtur që jetojmë në epokën e tyre, të tre heronjve që ua kemi borxh cdo gjë, edhe izolimin, edhe varfërinë, e pse jo edhe jetën. Të tre euridtëve, jo pse këtë e kanë të konfirmuar me ndonjë lloj shkollimi, por që, në mendjen e tyre, ata kanë lindur eruditë, të ditur për cdo gjë.
Në këtë mënyrë, duke mos pasur as përgjegjësi e as frikë, as për ne e as për ligjet, mbrëmë, Thaci, Haradinaj dhe Veseli kishin vendosur që të ushtronin vandalizëm të pashembullt politik, duke iu turrur ligjeve të vendit për të cilat është punuar me vite të tëra, e për respektimin e të cilave kemi dhënë garanci shtetërore.
Sa për ilustrim, Bashkimi Evropian po përgatitet që ta dëbojë nga klubi një shtet të fuqishëm si Polonia, vetëm pse udhëheqësit e atij shtetit kanë shprehur disponim për ta kapur drejtësinë. Kurse Thaci, Haradinaj dhe Veseli, provuan mbrëmë që të shkonin edhe shumë më larg se sa kaq. Në një postim që e bëri mbrëmë avokati Dastid Pallaska, ata mbrëmë provuan ta pengojnë drejtësinë, përmes shfuqizimit të gjykatës.
“Kjo do të thotë që Prokuroria e Gjykatës Speciale ka mundësi që qysh sonte – sipas ligjit që aktualisht është në fuqi – të shpallë fletëarrestet dhe të fillojë ndjekjen penale të atyre që po synojnë të pengojnë drejtësinë!”, tha Pallaska.
Kështu që ndërhyrja e mbrëmshme, ose tentativa e mbrëmshme, nuk ishte thjeshtë një përpjekje për të shfuqizuar një ligj, ajo ishte një përpjekje për të shfuqizuar një ligj që është në fuqi, një ligj në bazë të të cilit po operojnë disa prokurorë dhe disa gjyqtarë, një ligj bazuar në të cilin ka mundësi që tashmë janë përgatitur edhe aktakuzat e para. Pra, është pak a shumë sikur të provohet të ndërpritet një lojë, kur ajo ka nisur e ndoshta edhe janë shënuar edhe golat e parë.
Mbrëmë shpëtuam për pak. U rrezikuam seriozisht nga një sulm i panevojshëm, që po vinte nga brenda. Institucionet po sulmoheshin nga bartësit e tyre. Ishte një autopuç. Motivet se përse kjo ndodhi janë të qarta, sikur drita e diellit. Megjithatë, mbrëmë, për herë të parë ndoshta, e kemi parë se sa e rëndësishme është opozita në një shoqëri, e pse jo edhe roli i mediave./Express/