22 tetori do të shënojë mbajtjen e zgjedhjeve të dyta në Kosovë, ato për qeverisje lokale, pas atyre të 11 qershorit kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare. Nga këto të fundit si parti e parë doli Lëvizja Vetëvendosje, e dyta ishte PDK-ja dhe e treta LDK-ja.
Ndryshe nga rezultatet e zgjedhjeve parlamentare, mund të jetë rezultati i atyre lokale. Kjo për shkak se qytetarët mund të jenë të demotivuar nga vonesave në ndërtimin e institucioneve pas 11 qershorit dhe numri i votuesve ndodhë të mos jetë i madh.
Njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu ka thënë për “Indeksonline” se megjithatë, disponimi i qytetarëve varet edhe nga sjelljet e kandidatëve për kryetarë komunash, se si do t`i motivojnë ata për të dalë në votim.
“Varet nga disponimi i qytetarit. Mund të ketë ndryshime sepse ka pasur lëvizje dhe ka pasur sjellje të klasës politike, vonesa në ndërtimin e institucioneve, këmbëngulësia për realizimin e qëllimeve politike të gjitha pa dallim, në mënyrën e vet. Është një specifikë që në zgjedhjet lokale mund të ketë edhe ndonjë qasje tjetër, edhe rezultate tjera, edhe dalje në votim në mënyrë ndryshe sepse qytetarët mund të jenë të motivuar, apo demotivuar nga kandidatët që janë në komunën e tyre, rrethanat që janë në komunë, organizimi politik i subjekteve politike, sa janë në kontakt me qytetarin që t`i motivojnë të dalin më shumë në votim. Ka shumë faktorë që ndikojnë, por marrë në tërësi unë pres që të ketë dalje dhe interesim edhe më shumë”, ka thënë ai.
Baraliu parasheh se mund të ketë ndëshkim për gjithë klasën politike, sepse pozitë e opozitë kishin tentuar të hynë në çdo formë në pushtet, ose të mos e lejojnë tjetrin assesi të arrijnë pushtetin.
“Por, të ketë edhe ndëshkim të të gjithë klasës politike sepse pozitë-opozitë ishin gati në mënyrë animoziteti vetëm që ta pengojnë njëri-tjetrin që ta marrë pushtetin, dhe që vet ta marrin pushtetin. Pa pasur konsiderate ndaj qytetarit dhe pa pasur mirëkuptim për nevojat që i ka qytetari për administratën dhe organet që i ka pushteti”, është shprehur ai./Indeksonline/



















