Hetuesit policorë po gjurmojnë në Administratën Tatimore nën dyshimin se mbi 22 milionë euro borxhe të bizneseve u fshinë në korrik të vitit 2010. ATK-ja e mohon këtë dhe thotë se borxhet nuk u fshinë, por llogariten si të pasivizuara për shkak të pamundësisë për t’u inkasuar. Por si dështoi ATK-ja që të mbledhë këto borxhe milionëshe?
Diku para gati pesë vjetësh, në korrik të vitit 2010, ishte marrë një vendim nga Administrata Tatimore e Kosovës që dëshmon dorëzimin e këtij institucioni para 45 firmave private.
Vlera e borxhit që kishin ky numër kompanish ndaj shtetit kap vlerën prej mbi 22 milionë euro.
ATK-ja nuk kishte mundur të inkasonte borxhin që këto kompani kanë ndaj shtetit.
E arsyetoi vendimin e saj në obligimet ligjore që parashohin pasivizimin e borxhit në rast se shteti nuk arrin ta inkasojë atë brenda një periudhe gjashtëvjeçare prej krijimit të tij.
Por si u krijua ky borxh dhe pse ATK-ja nuk arriti ta inkasojë?
Administrata Tatimore në një përgjigje dhënë Gazeta Jeta në Kosovë tregoi se borxhi i përket operimit të firmave private në periudhën e pasluftës në Kosovë e deri në vitin 2005.
“Borxhet e subjekteve në fjalë i takojnë periudhës 2000-2005, apo me saktësisht aktivitetet biznesore, kontratat (projekte/investime nga donatoret, etj) apo importet e mallrave i takojnë asaj periudhe”, thuhet në përgjigjën e Zyrës për Media të ATK-së.
Sipas ATK-së vlerësimi se sa kanë borxhe këto kompani është bërë bazuar në rregulloret e UNMIK-ut dhe është bërë nga zyrat pa insepktuar bizneset për shkak të pamundësisë.
Bazuar në përgjigjen e ATK-së vetëm një e katërta e borxhit i takon bazës tatimore, ndërsa pjesa tjetër është ndëshkim dhe interes për shkak të mospagesës së tatimit.
ATK-ja nëpërmjet Zyrës për Media, tregoi se ky borxh u llogarit në bazë të tatimit të paragjykuar nga zyra.
Kjo llogaritje bëhet kur kompania nuk deklaron vullnetarisht fitimet dhe ATK-ja e ka të pamundshme ta inspektojë.
Në dokumentin e siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë, një pjesë e firmave janë ndërkombëtare.
Dokumenti është nënshkruar më 26 korrik të vitit 2010 dhe më pas i është dorëzuar Policisë së Kosovës që po heton nën dyshimin se ATK-ja i fshiu kundërligjshëm borxhet në vlerë prej 22 milionë eurosh.
Më së shumti borxh llogaritet të ketë një firmë italiane.
Borxhi i kompanisë ”Italbeton- Gen.Const”, në pronësi të Lionello Polesei është në vlerë prej 6 milionë e 831 mijë euro.
Pas saj vjen “Helvetic Airways AG”-Përfaqësia në Kosovë. Kompania është në pronësi të Michael Hotzapfel. Shuma e borxhit llogaritet të jetë 4 milionë e 274 mijë euro.
Një tjetër kompani ndërkombëtare është “Esko Bond LLC” në pronësi të Franco Zanoti që llogaritet se ka borxh prej 1 milionë e 465 mijë eurosh.
Mbi 1 milion euro borxh llogaritet se ka edhe “Micei International” në pronësi të Iki Malinkovski. Borxhi i saj llogaritet të jetë në vlerë prej 1 milion e 90 mijë euro.
Gazeta Jeta në Kosovë kërkoi nga ATK-ja një shpjegim se si kjo administratë nuk arriti që të inkasojë borxhin e këtyre kompanive për gjashtë vjet rresht dhe si ndodhi që më 2010 borxhet e tyre të kategorizohen si të pambledhshme.
ATK-ja u rezervua nga dhënia e përgjigjeve konkrete për secilën kompani veç e veç, duke u arsyetuar në kufizime ligjore që pamundësojnë shpalosjen e të dhënave të subjekteve që u nënshtrohen pagesës së tatimeve.
ATK-ja deklaroi se për të qartësuar gjendjen –“mund të shpalosim vetëm shënimet e përgjithshme”.
Administrata Tatimore deklaroi se ka ndërmarrë aktivitete para se të vendoste që borxhet të llogariten si të pasivizuara.
Pa specifikuar se për cilën kompani bëhet fjalë, ATK-ja deklaroi se ka bërë përpjekje për të inkasuar borxhin duke vendosur për urdhër vjeljeje në thesar dhe institucione tjera, urdhër vjeljeje në banka, vendosje të embargos në dogana ( bllokimet e importeve dhe eksporteve), ka ngritur kallëzime penale, ka dhënë vërëjtje, ka bërë ndalesa në kufi dhe ka bashkëpunuar me policinë për konfiskim.
Sipas ATK-së, përkundër që borxhet janë pasivizuar, kjo administratë në të ardhmen do të mbledh[ tatimin në momentin që kjo është e mundshme.
Ndërkohë Gazeta Jeta në Kosovë kërkoi shpjegime edhe nga katër kompanitë ndërkombtare që figurojnë si borxhlinj. Prej tyre vetëm firma maqedonase “Micei International” deri më tash ktheu përgjigje.
Nëpërmjet Departamentit të Kontabilitetit kjo kompani deklaroi se asnjëherë nuk ka qenë e informuar nga ATK-ja lidhur me pretendimet se ka borxhe tatimore të papaguara.
Po ashtu kompania tha se nuk ka qenë e detyruar t’i paguajë taksa Kosovës, pasi që ka pasur kontrata me organizata ndërkomb[tare që janë të liruara nga taksat.
Kompania shtoi se nuk ka qenë asnjëherë e inspektuar nga ATK-ja, pasi që, sipas saj, nuk ka pasur bazë ligjore që ta bëjë këtë.
Hetimet në ATK
Dokumenti që tregon për borxhin 22 milionësh të 45 kompanive private i nënshkruar nga zyrtarë të ATK-së në korrik të vitit 2010, iu dorëzua Policisë së Kosovës e cila po hetonte pretendimet e një qytetari se dikush kishte keqpërdorur letërnjoftimin e tij duke hapur një kompani të naftës.
V. Sh., mësues nga Prizreni në shkurt të vitit 2015 kishte paraqitur këtë ankesë në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës.
Biznesi ishte regjistruar me emrin “Shala Oil” dhe për gjashtë muaj nga janari deri në gusht të vitit 2005 kishte importuar miliona euro derivate të naftës.
Fillimisht ATK-ja kishte kërkuar nga V.Sh. që të paguante borxhin. Ai nuk kishte mundur ta bëjë këtë.
Borxhi që figuron si i kompanisë “Shala Oil” u përfshi në vendimin e korrikut të vitit 2010.
Hetuesit policorë pas ankesës së qytetarit nga Prizreni kërkuan sqarime nga ATK-ja lidhur me pretendimet e V.Sh. dhe borxhin e kompanisë që figuron e hapur në emër të tij.
ATK-ja i kishte dorëzuar Policisë së Kosovës një dosje të borxheve të bizneseve për të cilat në korrik të 2010 ishte vendosur që janë të painkasueshme.
Por dosja e dërguar nga ATK-ja në polici kishte emërtim të pazakontë. Ishte emërtuar “Fshirje”.
Një hetues policor i tha Gazeta Jeta në Kosovë se ka dyshime se dikush brenda ATK-së i ka vendosur në listën e borxheve të falura detyrimet të cilat 46 kompani ia kishin ATK-së.
Në anën tjetër zyrtarë të ATK-së mohojnë veprimin duke thënë se kjo ishte një keqkuptim në sistemin e tyre “SIGTAS”.
Fidan Maliqi, hetues i Krimeve Ekonomike në Prishtinë, u intervistua nga emisioni “Drejtësia në Kosovë”.
Ai tregoi se hetimet nisën fillimisht lidhur me dyshimet për krijimin e një firme fiktive me qëllim shmangien e tatimeve.
Por ato u zgjeruan.
Maliqi tregon se gjatë hetimit të këtij rasti policia mori nga ATK-ja një listë me 46 biznese borxhet e të cilave figuronin si të falura.
“Gjatë hetimit të rastit kemi kërkuar një listë me detyrimet e kësaj kompanie nga sistemi SIGTAS të cilin e posedon ATK-ja. Gjatë analizimit të listës kemi parë që tatimet janë falur,” thotë Maliqi
Sipas tij për policinë është e dyshimtë se si në këtë listë detyrimet e 46 firmave janë vendosur në Rubrikën “Falje”.
Sakip Imeri, drejtor i edukimit të tatimpaguesve në ATK, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se Administrata Tatimore që nga paslufta e deri më tani asnjëherë nuk i ka falur borxhet ndonjë kompanie private.
“Borxhe të fshira (falura) nuk kemi. Por kemi borxhe të pambledhshme, të cilat ATK-ja nuk ka arritur t’i mbledhë,” thotë Imeri
Sipas tij vendosja e borxheve të pambledhura në një rubrikë e cila ka emrin borxhe të falura ka qenë një keqkuptim.
“Procesi me të cilin obligimet tatimore janë vendosur në detyrime pasive është emërtuar në sistem si fshirje. Është e qartë nuk janë vendosur obligimet tatimore të falura por ato pasive dhe vetëm një fjalë e ka shkaktuar këtë keqkuptim,” thotë Imeri.
Sipas tij vendosja e borxheve në këtë dosje nuk ishte në rregull, mirëpo përmirësimet nuk do ndodhin deri kur policia të përfundojë hetimet.
Arrestimet
Lidhur me këto dyshime në fillim të majit policia arrestoi dy zyrtarët e ATK-së Nikson Mirdita dhe Fehmi Veselaj.
Zyrtarët të cilët tani mbrohen në liri dyshohen se nuk i përfillën procedurat e pasivizimit dhe faljes së borxheve për disa kompani.
Tomë Gashi, avokat i Nikson Mirditës, thotë se klienti i tij është i pafajshëm për shkak se çdo gjë e ka bërë në përputhje me ligjin.
Gashi shpreh dyshime se i tërë ky skandal ka pasur një prapavijë që të pengojë ngritjen në detyrë të personave të caktuar brenda ATK-së.
Rrahman Kastrati, avokat i Fehmi Veselajt, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se klienti i tij është i pafajshëm, ndërsa për gabimet e mundshme thotë se e bën fajtor sistemin kompjuterik.
“Nga të gjitha sqarimet që i kemi pasur vërtetohet se nuk ka falje të borxhit por masivizim mirëpo të dhënat e masivizimit dhe faljes kanë qenë të vendosura në dosjen e njëjtë në sistemin kompjuterik të ATK-së,” ka thënë Kastrati.