21 Ministri me 115 këshilltarë, kjo është Qeveria e Kosovës! (DOKUMENT)

E publikuar: 22/01/2016 10:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rreth 1 milionë euro në vit i marrin nga buxheti i Kosovës këshilltarët, asistentet vetëm në 15 Ministri. Qeveria e Kosovës jo vetëm që është më e madhja në Evropë, por gjithashtu ministrat i kanë mbushur kabinetet e tyre me një numër të madh të këshilltarëve politik, asistente, etj., të cilët e ‘gllabërojnë’ buxhetin e varfër të Kosovës.

Kosova që ka më pak se 2 milionë banorë, ka 21 Ministri, përderisa shumica e ministrave kanë deri në 10 këshilltarë. Sipas një kalkulimi të thjeshtë del se rreth 1 milionë euro në vit i marrin nga buxheti i Kosovës këshilltarët, asistentet vetëm në 15 Ministri, shkruan portali ‘Infokusi’.

Vet kryeministri Isa Mustafa i ka në kabitet 10 veta, përfshirë këtu shefen e stafit, zëvendësshefin e stafit, shefen e protokolit, këshilltarët politik, etj.

Më së paku ‘dorështrenguar’ për pagesat e këshilltarëve është treguar ministri i Financave, Avdulla Hoti.

Ky i fundit i ka në cabinet 10 këshilltarë dhe asistente administrative (https://mf.rks-gov.net/sq-al/MINISTRIA/Zyra-e-Ministrit/Kabineti-i-Ministrit), raporton ‘Infokusi’.

Edhe ministri i Mjedisit, Ferid Agani, ka po aq këshilltarë sa Hoti. (http://mmph-rks.org/sq/Kabineti-i-Ministrit).

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, i ka 9 këshilltarë dhe asistente.(https://mf.rks-gov.net/sq-al/MINISTRIA/Zyra-e-Ministrit/Kabineti-i-Ministrit).

Edhe Ministri i Listës ‘Srpska’ në Qeveri, Dalibor Jevtic, i ka 9 këshilltarë.

Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, i ka 8 këshilltarë dhe asistente (http://www.mbpzhr-ks.net/sq/keshilltaret-politik).

Po aq këshilltarë sa Krasniqi ka edhe bashkëpartiaku i tij Arsim Bajrami. (http://masht.rks-gov.net/kabineti-i-ministrit).

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i ka 7 këshilltarë dhe asistente.

Ministrja e Tregtisë, Hykmete Bajrami, i ka 6 këshilltarë dhe asistente.

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, i ka 5 këshilltarë dhe asistente.

Nga 5 këshilltarë i kanë edhe ministri i Diasporës, Valon Murati dhe ai i Administratës, Mahir Yagcilar dhe ai i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, raporton ‘INFOKUSI’.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, i ka dy këshilltarë dhe dy asistente. Ministri i Brendshëm, Skender Hyseni, i ka 3 këshilltarë politik, etj.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, nuk i ka të publikuar në ueb faqen e Ministrisë së Jashtme se kush janë këshilltarët dhe asistentet e tij, ndonëse sa ka qenë kryeministër ka pasur shumë të tillë.

Njëjtë si Thaçi kanë vepruar edhe tre ministrat tjerë të Qeverisë, Kujtim Shala, Haki Demolli dhe Arban Abrashi. Ky i fundit është edhe zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.