Pranvera e vitit 2016, mund ta gjejë Kosovën me një valë të re ikjesh nga vendi. Të paktën këtë mundësi nuk e përjashtojnë njohësit e rrethanave politike dhe të sigurisë.
Burim Ramadani, profesor universitar thotë se mundësia për një valë të re emigrantësh nga Kosova për në BE, është shumë e lartë, duke u bazuar në nivelin e lartë të pakënaqësisë qytetare, dhe mos ndryshimin e gjendjes gjatë vitit nga vala e fundit.
Kjo valë e mundshme e emigrantëve, sipas Ramadanit, mund të shkaktoj probleme në proceset e Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian, siç është edhe procesi i liberalizimit të vizave.
Ramadani vazhdoi se për parandalimin e ikjes së mundshme në Pranverë nga Kosova, duhet menjëherë të merren disa masa nga Bashkimi Evropian, edhe pse është një periudhë shumë e shkurtër.
Mirëpo, Adrian Zeqiri nga Qendra Evropiane për Çështjen e Minoriteteve në Kosovë, thotë se tani gjendja është më ndryshe, pasi Kosova tani është futur në listën e vendeve të sigurta dhe se tani janë vendosur shumë barriera fizike në vendet ku fillon Bashkimi Evropian.
Zeqiri shtoi se arsyet përse ka probleme ekonomike apo politike, nuk janë arsye për të lëshuar vendin.