Portali Sinjali, që është në pronësi të avokatit, Besnik Berisha, është gjobitur 20 mijë euro nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, për shkak të shkeljes së Ligjit.
Sipas vendimit të AIP, portali ka publikuar të dhëna personale, përfshirë emrin dhe mbiemrin e një qytetari dhe familjarëve të tij, pa bazë ligjore, në një artikull të botuar më 25 maj 2025.
Agjencia ka konstatuar se publikimi i identitetit të personave të përfshirë në një rast dhune në familje ka cenuar dinjitetin dhe privatësinë e tyre, duke theksuar se ngjarja nuk justifikon interes publik për zbulimin e identitetit.
Në arsyetimin e vendimit, thuhet se Agjencia i është drejtuar portalit me kërkesë për sqarime ligjore lidhur me publikimin, mirëpo “Sinjali” nuk është përgjigjur as pas rikerkesës zyrtare. Si rezultat, është vlerësuar se portali ka vepruar në kundërshtim me parimet e ligjshmërisë, drejtësisë dhe transparencës në përpunimin e të dhënave personale.
Portali “Sinjali” obligohet të anonimizojë të dhënat personale në artikullin përkatës dhe të paguajë gjobën prej 20 mijë euro brenda 30 ditësh nga dita e hyrjes në fuqi të vendimit.
Agjencia ka paralajmëruar se, me kalimin e këtij afati, vendimi kthehet në titull ekzekutiv dhe ekzekutohet në mënyrë të detyrueshme nga përmbaruesi privat.
Vendimet e AIP nuk mund të ankimohen, përveç nëse pala e pakënaqur vendos të iniciojë konflikt administrativ në Gjykatën Themelore të Prishtinës brenda 30 ditësh.
Sinjali është portal në pronësi të avokatit, Besnik Berisha, që njëkohësisht është edhe kryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës. Berisha më herët ka qenë edhe këshilltar i ish-kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.


















