Si e bindi Ramiz Kelmendi djalin me fale gjakun, duke folur per babane e tij Jakup Rugovasi

E publikuar: 13/01/2017 22:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Riza Krasniqi*

Ramiz Kelmendi me Riza Krasniqin ne ShkoderEdhe pse tërë ditën na përcolli policia, me të cilën ishim mësuar, edhe pse tërë ditën ra shi, edhe pse atë fund jave profesor Antoni nuk ishte me ne (sepse shkoi në Drenicë), ne arritëm t’i përfundonim të gjitha rastet që i kishim planifikuar për atë të shtunë. Na kishte mbetur edhe një rast i fundit, por që shpresonim se do ta kryenim shpejt. Nga përgatitjet e rastit e dinim që Valoni, që ishte djali i vetëm i familjes, ishte treguar shumë mikpritës kur e vizituam dhe e lutëm që të shtunën t’i pranoje Krushqit e Pajtimit. Valoni na e dha një përgjigje shumë të mirë:

– Po kush nuk i pranon krushqit. Gjithmonë krushqit kanë bërë punë të mira dhe gjithmonë kanë sjell gëzime kudo që kanë shkuar. Madje unë po ju thërras juve që të vini edhe pas 3 jave kur në këtë shtëpi do vijnë edhe do krushqi të tjerë.

E kuptuam se pas 3 javësh Valoni do të martohet, prandaj ky ishte edhe një shkas që të mos martohet pa e fal gjakun e Babës. Kur hymë në Odën e Burrave, profesor Marku, i cili na printe kurdo që profesor Antoni nuk ishte, e filloi bisedën dhe kërkoi dorën e pajtimit. Pasi që në odë ishin edhe 3 motrat e Valonit, edhe Hava, e cila ishte ulur pranë tyre, i tha ca fjalë për sukseset e lëvizjes së pajtimeve deri më atë ditë. Të gjithë e pritnim fjalën e Valonit, por për habinë tonë Valoni nuk ishte ai i mëparshmi. Edhe një i afërm i Valonit që tërë kohën thoshte se ishte për pajtim kur foli, foli ashtu si nuk duhet. Tha se Valonin duhet ta kuptojmë nëse nuk mund ta falë sot, sepse mënyra si ia kanë mbytur Babën ishte mizore. Pastaj edhe Valoni filloi të arsyetohej se rasti i tij ndryshon prej të tjerëve dhe fjalimin e përfundoi kështu:

– Më falni por nuk mundem. Babai im ishte patrioti më i madh në këto katunde dhe nuk e ka merituar të vritet nga shqiptarët. Prandaj nuk po mundem.

Të gjithë u befasuam, jo për së miri. Mbizotëroi heshtja. Atëherë e mori fjalën profesori Ramiz Kelmendi, i cili në këtë lëvizje pajtimesh ishte qe nga e parë në Raushiq, dhe i cili më shumë qante se sa fliste. Profesori ishte shumë i ndjeshëm, i përjetonte jashtëzakonisht shumë pajtimet. Të gjithëve na befasoi me nervozizmin e tij.

– Po mirë bre Valon, po thua Baba patriot, e nuk mund ta falë gjakun. Po për Babën tim, Jakup Rugovasin, e kanë quajtur këtu në Pejë, a ke dëgjuar ndonjëherë?

– Jo, u përgjigj Valoni.

– E unë po të tregoj se edhe Jakup Rugovasi ka qenë patriot e mbi patriotë. Jakup Rugovasi që nuk e pat asnjë ditë shkollë, e që prej tetë fëmijëve na ka shkolluar të gjithëve, e gjashtë e kemi kryer fakultetin. A e di çka ka punuar Jakup Rugovasi? Me kerr e me kalë ka bajtur sende nëpër Pejë. Edhe mua më kanë burgosur pa i mbushur 16 vjet. Prej bankës së shkollës na kanë marrë, sepse me një grup shokësh e botuam gazetën “Lajmëtari i Lirisë”. Ishte viti 1945, të gjithë thoshin se jemi çliruar, e ne thoshim jo. Pse unë rash në burg, për çështje kombëtare, merita ishte e Jakup Rugovasit. Ai më mësoi si të duhet Shqiptaria. Marije Shllakun, shkodranen tonë, Ali Shukriu e dënoi me vdekje. Dhe e ekzekutuan. As sot varrin nuk ia dimë. Edhe tre të tjerë i dënuan me vdekje. Pas burgut e vazhdova shkollimin, por kur erdhi puna për fakultet, nuk ma dhanë bursën, sepse për atë sistem isha “armik i popullit”. Shkova në shtëpi duke qarë. Te dera u takova me babën, Jakup Rugovasin, i cili më pyeti:

– Çka ki babo, pse po kanë?

– Nuk ma kanë dhanë bursën, i thashë.

– E çka është ajo, më pyeti baba.

– Pare për t’u shkolluar Babë, iu përgjigja. E tash nuk mund ta vazhdoj shkollën, i thashë.

– Aiii, tha Baba. Ani për qeto po mërzitesh a…dhe i ra kalit shuplak në vithe e tha:

– E shes kalin edhe Baba nuk të len pa shkollë.

– Po Babë, me e shit kalin qysh jetojmë ne? Çka hamë ne?

– Babo, më tha, ti vazhdo me mësue, se shkolla na vyen më shumë se krejt tjerat bashkë. Shkolla na i hap sytë. E për shkollë jo kerrin e kalin, po edhe tokën edhe shtëpinë e shes, edhe krejt çka kam i shes, nuk më dhimben sa një krande. E sa për bukë, e çon Zoti.

Pas një pauze, profesori vazhdoi:

– Këto fjalë i tha Jakup Kelmendi, që leu e vdiq analfabet. A nuk është Jakup Rugovasi patriot e mbi patriotë? O Valon burri, ti lirisht mund të ishe djali im, dhe po flasë si me djalin tim. Gjakmarrja na ka shkatërruar si komb. Okupatorët e ndryshëm shumë e kanë ushqyer gjakmarrjen. Atyre shumë ju ka shkuar për shtati. Unë edhe romanin «Heshtja e armëve» kur e shkrova, për gjakmarrjen e shkrova. E kam provuar edhe vetë, prandaj po ta them vetëm edhe këtë: Unë po të betohem se sikur të ma kishin vrarë tanët Babën, sot isha çuar në këmbë e ja kisha zgjat dorën profesor Markut dhe ia kisha falë gjakun dhe do të isha krenuar se edhe me faljen e gjakut, Jakup Rugovasi po vazhdon të punojë si patriot. Prandaj dëgjomë mirë: Nëse unë në këtë moshë do isha çuar, çohu edhe ti, e zgjatja dorën profesorit, e falja gjakun e Babës tënd rinisë së Kosovës, se Kosovës po i duhet edhe kjo falje edhe ky pajtim. Unë jam i sigurt se po të ishte Baba yt këtu, ai nuk na kishte kthyer. Patriotët dhe familjet patriotike nuk na kthejnë duarthatë. Çohu, o Valon Burri!

Pas këtyre fjalëve të thëna në mënyrë shumë të sinqertë, Valonit nuk iu desht shumë që të zgjaste dorën e pajtimit, por e pat vetëm dhe një lutje: “Që të jemi krushq të tij edhe pas tri javësh”. Pasi profesori i premtoi se do të vijmë në dasmën e tij, Valoni u çua në këmbë dhe ia zgjati dorën e pajtimit.

Atë natë shkuam në Strellc te profesori Nimon Alimusaj. Të gjithë ishim ende nën ndikimin e fjalëve të Ramizit. Dikur e pyetëm profesorin që të na fliste më shumë për Jakup Rugovasin, ai e tha vetëm një fjali:

– Tërë jetën më ka ndihmuar Baba. Edhe sot më ndihmoi shumë Jakup Rugovasi. Më ndihmoi sa ishte gjalle, po më ndihmon edhe si i vdekur. Shumë i kam borxh! Shumë e falënderoj!

*Autori i ketij rrefimi, Riza Krasniqi, ishte profesor i informatikes ne Gjimnazin e Pejes kur, i ftuar nga iniciatori Flamur Gashi dhe rinia progresiste e Kosoves, kishin marre iniciativen me nise pajtimin e gjaqeve ne Kosove. E kishin ftuar Anton Çeten, i cili ju propozon qe ta ftonin edhe Ramiz Kelmendin dhe me 10 shkurt 1990, ne fshatin Raushiq te Deçanit nisin akcionin historik te pajtimeve ne Kosove.

Nisja e Pajtimit te Gjaqeve, 10 Fror 1990, fshati Raushiq, Deçan
Kjo asht fotografia historike qe dokumenton nisjen e akcionit te pajtimeve ne Kosove, ne 10 Fror 1990, ne Raushiq te Deçanit
/rrokum.tv/