Plot 188 nënshkrues, intelektualë, pedagogë, artistë e studentë nga Shqipëria kanë nënshkruar peticionin për të kundërshtuar Marrëveshjen e Kosovës me Serbinë, për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Peticioni ka nisur me 3 dhjetor, dhe për dhjetë ditë ka tubuar 188 nënshkrues. Lista është bërë publike për media, nga profesori Enis Sulstarova. 73 nënshkrues firmosën fillimisht në listën e 3 dhjetorit. Ky është teksti i plotë i peticionit dhe lista e të nënshkruarve:
“Ne qytetarë të Republikës së Shqipërisë, intelektualë, pedagogë, artistë, profesionistë, studentë, me besimin se vullneti i popullit do të frymojë politikat kombëtare, shprehim sot mbështetjen e plotë për luftën dhe përpjekjet e qytetarëve të Kosovës për forcimin e shtetit në luftë të papajtueshme me çdo shfaqje të autoritarizmit dhe të korruptimit të institucioneve.
Sot ne deklarohemi kundër Marrëveshjeve për Zajednicën me Serbinë dhe Demarkacionin me Malin e Zi, të nënshkruara nga Qeveria e Kosovës, të cilat cenojnë integritetin territorial dhe dëmtojnë interesat kombëtare të shqiptarëve. Arrestimi i Albin Kurtit në 28 Nëntor, ditën e shenjtë të Pavarësisë, kujton kohët më të errëta të sundimit serb kur patriotët dhe rinia e Kosovës dhunoheshin dhe burgoseshin për çështje kombëtare.
Ne gjykojmë se, në kuadrin e një bashkëpunimi luajal mes Qeverisë së Tiranës dhe asaj të Prishtinës, dhe mbi bazën e Marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet tyre, do të shmangeshin veprime të cilat cenojnë jo vetëm interesin kombëtar, por në një vështrim afatgjatë, paqen dhe stabilitetin në Rajon.
Albin Kurti dhe të gjithë të Burgosurit Politikë duhet të lirohen një orë e më parë, sepse ata kanë dalë në mbrojtje të Republikës dhe aspiratave Kombëtare./Shekulli.al