Open Data Kosovo sot lansoi platformën Bizeneset e Hapura (http://biznesetehapura.com/). Kjo platformë përmban të dhëna prej rreth 170,000 bizneseve në Kosovë, duke përdorur të dhëna të gjeneruara nga webfaqja e ARBK-së.
Këto të dhëna janë gjeneruar nga infomatat ekzistuese në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK) duke përdorur Web Scraping, teknikë kjo që lejon nxjerrjen automatike dhe në tërësi të të dhënave nga një faqet e internetit, raporton infosot.
Të dhënat e bizneseve janë të kërkueshme nga gjinia, mosha, dhe lloji i biznesit. Me këto inpute platforma poashtu gjeneron forma të ndryshme të vizualizimeve që tregojnë statusin e bizneseve, industritë apo aktivitetet më të përhapura në qytete si dhe tërësi. Kjo platformë i përbmledhë të dhënat ekzistuese në webfaqen e ARBK-së dhe i paraqet në tërësi, si dhe formë të hapur. Këtu nuk paraqiten informata sensitive siç është numri personal i individëve.
Open Data Kosovo beson që hapja e të dhënave është esenciale në vendosjen e qeverisjes së mirë, transparente dhe llogaridhënëse. Të dhënat e hapura janë mënyrë fundamentale e pjesëmarrjes qytetare në vendimarrje. Për këtë arsye të dhënat që ofrohen nga institucionet qeveritare duhet të jenë publike, lehtësisht të qasshme, si dhe në formate të hapura. Duke besuar në këtë qëllim Open Data Kosovo ka pregaditur platformën Bizneset e Hapura.
Me datë 13.05.2016 Qeveria e Kosovës miratoi Kartën për Hapjen e të Dhënave në Republikën e Kosovës. Sipas këtij dokumenti Republika e Kosovës ka marrë zotim t’i përshtatet principit të hapjes së dhënave për të mirën publike; Ligji për qasje në dokumente publike është në fuqi dhe garanton qasje të lirë në këto informata. Qasja e limituar në të dhënat e kompanive është problem për të gjithë. Informatat e mbyllura të bizneseve krijojnë hapësirë për pastrim parash, korrupsion, keqpërdorim dhe krim të organizuar. Këto probleme e ndalojnë zhvillimin ekonomik lokalisht si dhe në shkallë globale.
Pse duhet të jenë të hapura këto të dhëna:
Hapja e të dhënave biznesore lejon analiza ekonomike për sektorë si dhe aktivitete të ndryshme ekonomike.
Krijon hapësirë për analizimin e trendeve ekonomike në periudha dhe rajone të ndryshme.
Krijon hapësirë për analizë të tregut nga investitorët lokal dhe ndërkombëtar.
Duke i pasur këto të dhëna në dispozicion gjithashtu do të kontribojë në tërheqjen e investitorëve të huaj të cilët do të bënin investime të bazuara në të dhëna dhe në dëshmi statistikore.
Hapja e të dhënave mund të përdoret edhe si një mjet marketingu për bizneset. Kjo lejon kompanitë e mëdha nga bota apo kontraktorët e tjerë të kërkojnë kompaninë tuaj bazuar në: sektorin e kompanisë, madhësinë, vendndodhjen, përvojën, pronësinë etj.
Hapja e këtyre të dhënave biznesore do të mundësonte lidhjen e të dhënave me sektorë tjerë si prokurimi publik ose me deklarimin e pasurisë gjë që do të fuqizonte mekanizmat kundër korrupsionit.
Hapja e të dhënave biznesore do të ndikonte direkt në rritjen e vetëdijes së ndërmarrësve dhe të qytetarëve që të marrin vendime të bazuara në analiza faktike të të dhënave.
Zhvillimi i kësaj platforme është vetëm njëri nga shumë projekte të cilat ODK realizon për të mirën e qytetarëve në mënyrë që publiku t’a kenë më të lehtë qas’shmërinë në këto informata.Open Data Kosovo është e gatshme për bashkëpunim në implementimin e principeve të të dhënave të hapura, për t’i ndihmuar ARBK-së dhe institucioneve tjera që të arrijnë nivelin më të lartë të transparencës, që kontribuon në të mirën e gjithë vendit. Ne jemi gjithashtu të hapur të bashkëpunojmë me partnerë tjerë në zgjerimin e mëtutjeshëm të këtij projekti.