Përdhunimi masiv i një adoleshenteje dhe publikimi i pamjeve të tmerrshme në mediat sociale, ka zemëruar gjithë Brazilin dhe ka alarmuar policinë për të filluar kërkimet për 30 përdhunuesit, të cilët kishin shfaqur anën e tyre të errët mbi një vajzë të varfër.
Katër ditë pas sulmit të egër, ka folur edhe vet viktima. Bëhet fjalë për një 16-vjeçare nga një zonë e varfër e Rio de Janeiro, e cila ende po përpiqet të harroj ngjarjen e tmerrshme që i kishte ndodhur atë mëngjes. Gjatë një interviste dhënë televizionit lokal “Record”, ajo ka deklaruar se nuk beson se fajtorët do të sillen para drejtësisë, transmeton Telegrafi.
“Nuk pres që kujdestarët e ligjit të ndërmarrin diçka, sepse këtë kurrë nuk do ta pres. Pres drejtësinë e Perëndisë! E di që do të jetë një pritje e gjatë, por herët a vonë, unë do ta pres”, ka deklaruar vajza e cila ka përjetuar tmerrin.
Për këtë skandal sigurisht se askush nuk do të dëgjonte, po të mos e publikonte një maniak një video 38 sekondëshe në Teitter. Në videon shokuese, vajza shfaqet e lakuriqur pa ndjenja, derisa të paktën 30 persona presin në radhë për ta përdhunuar.
“Kam fjetur dhe jam zgjuar në një vend krejtësisht të panjohur për mua. Një mashkull kishte qenë nën trupin tim, tjetri mbi mua, kurse dy tjerë më mbanin për duar. Kam qenë e droguar, por qartë kam mundur t’i dëgjoj duke qeshur. Aty kanë qenë disa fëmijë, kriminelë me revole”, ka shtuar vajza e traumatizuar.
Policia është duke u përpjekur të identifikojë 30 personat e përfshirë në këtë ngjarje të tmerrshme. Dhe më në fund kanë filluar aksionet e arrestimeve, dhe raportohet se policia ka kryer një seri bastisjesh në lagjet e varfra të Rios duke kërkuar të dyshuarit, transmeton Telegrafi.
Njeriu që udhëhiqte hetimet tashmë është shkarkuar, dhe kështu rastin e ka marrë përsipër një njësi e specializuar për krime ndaj të miturave.
Në fund të intervistës, kjo vajzë ka pranuar se falë mbështetjes së madhe publike, i është rikthyer shpresa për jetë.