Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se nga prokuroritë Themelore janë ngritur njëqindegjashtëdhjetedy (162) aktakuza kundër njëqindetetëdhjetë (180) personave, për vepra të ndryshme penale. Ndërsa, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar shtatëmbëdhjetë (17) persona, si dhe pranë gjykatës kompetente janë parashtruar katër (4) kërkesa për caktim të paraburgimit ndaj pesë (5) personave, të dyshuar se kanë kryer vepra të ndryshme penale.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur një (1) aktakuzë kundër gjashtë (6) të pandehurve. Prokuroria Themelore në Prishtinë, me urdhër të prokurorit ka ndaluar tre (3) persona, ka paraqitur një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një (1) personi, si dhe, ka ngritur pesëdhjetenjë (51) aktakuza kundër pesëdhjetetetë (58) personave për vepra të ndryshme penale.
Prokuroria Themelore në Prizren, me urdhër të prokurorit ka ndaluar dy (2) persona të dyshuar, si dhe pranë gjykatës kompetente ka parashtruar një (1) kërkesë për caktim të paraburgimit ndaj dy (2) të dyshuarve. Prokuroria Themelore në Pejë, me urdhër të prokurorit, ka ndaluar tre (3) persona të dyshuar për kryerje të veprave penale,si dhe ka bërë një (1) kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit ndaj një (1) personi për veprën penale “Sulm seksual”. Ndërsa, nga kjo prokurori janë ngritur tridhetenjë (31) aktakuza kundër tridhetenjë (31) personave, për vepra të ndryshme penale.
Prokuroria Themelore në Gjilan, me urdhër të prokurorit ka ndaluar për 48 orë, gjashtë (6) persona të dyshuar, si dhe ka ngritur pesëdhjetë (50) aktakuza kundër pesëdhjetenjë (51) personave. Prokuroria Themelore në Gjakovë, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka ndaluar një (1) person, si dhe ka ngritur gjashtëmbëdhjetë (16) aktakuza kundër shtatëmbëdhjetë (17) personave, për vepra të ndryshme penale.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka ndaluar dy (2) persona të dyshuar në dy raste të ndara, ka parashtruar një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër një (1) personi, si dhe ka ngritur trembëdhjetë (13) aktakuza kundër shtatëmbëdhjetë (17) personave, për vepra të ndryshme penale.