Forca e Sigurisë së Kosovës nuk arriti të lidhë kontratë për furnizim me ushqim, pasi OSHP-ja anuloi aktivitetin e prokurimit, raporton KTV.
Ministria ka dështuar që të lidhë kontratë në tetorin e kaluar me kompaninë fituese të tenderit për “furnizim, përgatitje dhe shërbimin me ushqim në kuzhinat e FSK-së”.
Ky fakt ka bërë që 3 herë radhazi t’i vazhdohet kontrata kompanisë që deri tash ka ofruar këtë shërbim.
Organi Shqyrtues hodhi poshtë vendimin e Autoritetit Kontraktues të MFSK-së, për të lidhur kontratë me “Beni Dona Plast,” e cila ishte kompania e dytë për nga çmimi më i ulët, por që ishte vlerësuar e përgjegjshme.
Ky fakt ka shtyrë operatorin tjetër që të ushtrojë ankesë në gjykatën e Tenderëve.
Operatori Ekonomik “Florenti dhe Korabi” kishte ofertë më të lirë për 800 mijë euro. Por, ky operator u konsiderua si i papërgjegjshëm sepse nuk ofroi dëshmi me dokumente se ka bërë shërbime të tilla më parë dhe do të mund të furnizonte të gjitha kazermat me ushqim.