15-vjeçari qëlloi për vdekje me thikë 25-vjeçarin në Vlorë, policia jep detajet

E publikuar: 19/06/2020 10:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas një konflikti për motive të dobëta një 15-vjeçar ka vrarë me thikë një 25-vjeçar nga Vlora mbrëmjen e së enjtes.

Policia ka zbardhur ngjarjen dhe thotë se rreth orës 22:50, në Spitalin Rajonal Vlorë, ka shkuar i dëmtuar nga një mjet prerës shtetasi Aleksandër Petanaj, 25 vjeç, banues në Vlorë, i cili ka ndërruar jetë pak orë më vonë.

Ndërkohë që është kapur autori.

“Menjëherë pas ngjarjes Policia nisi hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e saj dhe falë veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale u bë identifikimi në kohë rekord, kapja dhe prangosja e autorit, shtetasit G.T., 15 vjeç, banues në Vlorë.

Nga hetimet e kryera dyshohet se ngjarja ka ndodhur në lagjen ‘24 Maji’ Vlorë, pranë vendit të quajtur ‘Ish-ushqimores’, ku pas një konflikti për motive të dobëta shtetasi G.T. ka goditur me mjet prerës (thikë) shtetasin A.P., i cili ndërroi jetë rreth 4 orë më vonë në ambientet e spitalit.

Grupi hetimor po kryen veprimet e mëtejshme në lidhje me ngjarjen e ndodhur”, njofton policia, raporton TCH-ja, transmeton “Klan Kosova”.