Jar0006640 Lorries queue on the M20 during ‘Operation Stack’ after yesterday’s fire in the channel tunnel.
Deri në orët e pasdites 15 kamionë me mallra nga Serbia nuk janë lejuar të hyjnë në territorin e Kosovës. Kjo për shkak se Kosovës në dokumentet e tyre nuk i referoheshin si Republikë, kërkesë e Qeverisë në detyrë.
Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë se të gjitha kthimet “kanë të bëjnë me aplikimin e masave të reciprocitetit sipas vendimit të Qeverisë”.
“Të gjitha kthimet kanë të bëjnë me aplikimin e masave të reciprocitetit sipas pikës 1, respektivisht 1.1 dhe 1.3, dhe gjithashtu edhe pikës 3 të vendimit të Qeverisë”, ka deklaruar ai.
Përveç referimit të Kosovës si shtet, vendimi për shtim të masave të reciprocitetit, i marrë të shtunën, kërkon prej operatorëve ekonomikë nga Serbia që të pajisen me leje hyrëse për secilin automjet të transportit të mallrave që hyn në Republikën e Kosovës nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi.
Vendimi është kritikuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, por edhe nga përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, i cili ka thënë se këto masa e dëmtojnë dialogun.
Por kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, iu kundërpërgjigj Lajçakut duke i dalë në mbrojtje kryeministrit në detyrë. Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ka thënë se të hedhësh poshtë parimin e reciprocitetit do të thotë të refuzosh marrëveshjet e arritura në dialog.
Marrëveshjet e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas Violeta Haxhollit, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), kanë lënë hapësirë që mes Kosovës dhe Serbisë të vendoset një marrëdhënie reciproke. Sipas saj, nuk është hera e parë që Kosova vendos masa të tilla ndaj Serbisë.
Por, sipas saj, mungesa e një konsensusi të brendshëm e pamundëson mbajtjen e qëndrimeve ndaj Serbisë.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Tregtisë i Serbisë, Rasim Ljaiq, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se që nga ndërmarrja e masave të reja tregtare nga Qeveria në detyrë e Kosovës kamionët nga Serbia po kthehen prapa në vendkalimet në Kosovë, sepse “asnjëri nuk i plotëson kushtet e kërkuara nga Dogana e Kosovës”.
“Me të ashtuquajturat masa reciproke, dërgimi i mallrave nga Serbia në Kosovë është zyrtarisht i kufizuar dhe i ndaluar, sepse kushtet janë të tilla që asnjë kompani nga Serbia nuk mund t’i përmbushë ato”, ka thënë Ljaiqi për Radion Evropa e Lirë.
Në prag të largimit, Qeveria në detyrë e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka vendosur masa tregtare shtesë për Serbinë, duke ndaluar përdorimin e dokumenteve për produktet bujqësore dhe industriale me “emra vendesh që përmbajnë elemente që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe që përmbajnë elemente që mohojnë pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës”.