Opozita nis mobilizimin për protesta “ditë e natë”

E publikuar: 23/02/2016 11:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Opozita në Kosovë ka nisur një mobilizim për intensifikimin e veprimeve kundër qeverisë aktuale. Zyrtarë dhe aktivistë të subjekteve politike opozitare, kanë paralajmëruar përmes rrjeteve sociale tubime, protesta dhe aktivitete të ndryshme protestuese.
Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, sipas paralajmërimeve nga aktivistët e tyre, pritet të mblidhen sot në orën 14:00 për të nisur protestat e tyre në sheshtët kryesore.

Këto tubime thuhet se po bëhen në kundërshtim të vazhdimit të qeverisjes nga koalicioni aktual dhe në kundërshtim të mundësisë se mbajtjes së seancës për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, për të cilin post kandidat i vetëm mbetet lideri i Partisë Demokratike, Hashim Thaçit.

Zyrtarë të partive opozitare i kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se sot do të ketë aktivitete të ndryshme me aktivistë e qytetarë. Po ashtu, partitë opozitare i kanë dhënë një afat deri më 27 shkurt qeverisë së Kosovës që të dorëhiqet. Në të kundërtën, janë paralajmëruar protesta masive.

Pas këtyre paralajmërimeve, forca policore janë parë në mëngjes përreth objektit te Qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit.

Opozita po shqyrton edhe mundësinë e vendosjes së tendave pranë Kuvendit të Kosovës, ku aktivistët e tyre do të qëndronin gjatë tërë kohës, siç thuhet, për të pamundësuar mbajtjen e seancës për zgjedhjen e Hashim Thaçit president të vendit.