Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Albulena Haxhiu ka reaguar pas vendimit të gjykatës për vazhdimin e arrestit shtëpiak për të dhe deputetët e tjerë të opozitës Albin Kurtit, Faton Topallit dhe Donika Kadaj-Bujupit.
Haxhiu ka shkruar se seanca e sotme pati shkelje procedurale, duke shtuar se qeveria e Kosovës e ka kapur sistemin e drejtësisë për persekutimin e deputetëve të opozitës të cilët dolën në mbrotje të Republikës.
Ky është postimi i plotë i Albulena Haxhiut në Facebook
Për shkak të veprimeve politike në mbrojtje të Republikës dhe territorit, sot u zhvillua seanca fillestare për deputetet e opozitës, përfshirë mua. Kjo seancë u përcoll me shkelje procedurale e poashtu na u cenua e drejta e fjalës dhe na u vazhdua masa e arrestit shtëpiak. Ky sistem i kapur i drejtësisë po vazhdon persekutimin politik të deputetëve që dolën në mbrojtje të Republikës dhe territorit sepse kështu po i përshtatet Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit. Na u pamundësua që edhe para prokurores (motres së ish deputetes së LDK) dhe para gjyqtarit të kundërshtojmë me fakte këtë proces politik dhe tu themi atyre që do të duhej të ishin në mbrojtje dhe shërbim të Republikës dhe jo në mbrojtje të pushtetit që i ka ditët e numëruara. Ne nuk po hetohemi për shkak se kemi kryer ndonjë veper penale por për shkak të kundërshtimeve ndaj marrëveshjeve jokushtetuese. Prokurorët dhe gjyqtarët do duhej të hetonin dhe gjykonin pushtetarët që u pasuruan në kurriz të qytetarëve të varfër dhe jo të tregojnë dhëmbët me deputetet e opozitës që po veprojne ne kuader të mandatit dhe betimit të deputetit.


















