Vetëm pranimi i pavarësisë së plotë të shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë dhe pranimi i të drejtës së shqiptarëve të bashkohen në një shtet me Shqipërinë do i jepte fund konfliktit mbi njëshekullor serbo-shqiptar.
Ali Mehmeti, Gjenevë
Deklarata e para pak ditëve e ambasadorit amerikan në Beograd Michael Kyrbi se “Ne nuk kërkojmë që Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës, por kërkojmë normalizim të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. Se çfarë domethënë ky normalizim në fund mbetet ta definojë Bashkimi Evropian, por për neve kjo përfshinë anëtarësimin e Kosovës në OKB”, sikur i nervozoi politikanët kryesor të Beogradit. Ose, siç raportuan mediumet në gjuhën shqipe, shkaktoi “termet në Beograd”. A është vërtet kështu?
Pyetja që shtrohet është se a është Serbia ajo që vendos për pranimin ose mospranimin e Kosovës në OKB? Sigurisht që nuk është. Pra, pse duhet të jetë dhe a mund të jetë ky kusht për Serbinë? Dhe pse duhet të nervozohet Serbia për këtë? “Nevrikosja” e saj është e rrejshme dhe shërben vetëm dhe vetëm për “ngritje të pazarit” në negociatat e ardhshme që e presin gjatë procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Kushti i vërtet që duhet t’i parashtrohet Serbisë është pranimi i pavarësisë së shtetit të Kosovës pa asnjë kufizim. Vetëm pranimi i pavarësisë së plotë të shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë do i jepte fund konfliktit mbi njëshekullor serbo-shqiptar. Kurse për stabilizim të përhershëm të Ballkanit ka nevojë edhe për një kusht tjetër, madje shumë më të rëndësishëm. Këtë e them si nxënës i shkollave serbe, nga fillorja gjer në universitet. Duhet kërkuar nga Serbia ndryshimi i plan-programeve shkollore nga i cili duhet të mënjanohet “historia” e shkruar nga kisha serbe, pastaj edhe nga akademia e shkencave dhe arteve, që bazohet në gënjeshtra të shumta që flasin për Kosovën sikur për “djepin e Serbisë”. Po ashtu duhet mënjanuar edhe opusi epik mbi Kosovën, opus ky që për bazë ka mallkimin e të gjithë atyre që nuk shkojnë në luftë për Kosovën. Me këtë mallkim janë rritur gjeneratat e tëra në Serbi. Kur të rritet një gjeneratë serbe e çliruar nga ky mallkim, atëherë mund të presim që serbët vërtet të ndryshojnë në raport me shqiptarët.
Por, shqiptarët nuk kanë kohë të presin rritjen e një gjenerate të re në Serbi. Ne duhet të kërkojmë dhe të këmbëngulim për të drejtat e barabarta me popujt e tjerë të Evropës duke përfshirë edhe të drejtën për referendum ku mund të shtrohet edhe pyetja se a duam të bashkohemi me Shqipërinë apo jo? Vetëm ky bashkim do të krijonte ekuilibër afatgjatë në Ballkan dhe do i shuante apetitet e Serbisë ndaj Kosovës.
Të mbetemi me shpresë se kërkesat e Bashkimit Evropian, respektivisht të Gjermanisë, do të janë më të avancuara se ato të ambasadorit Kyrbi.