Drejtorja e njësisë së hulumtimit dhe komunikimit në Kryeministrinë shqiptare, Falma Fshazi, është një prej shqiptareve që u ndodh në Paris gjatë sulmeve terroriste.
“Po goditet Evropa, po goditen vlerat demokratike, kurajoja për të bashkëjetuar në harmoni me të ndryshmen”, shprehet ajo, raporton “Shqiptarja.com”. “Është goditur njerëzimi sot, historia e një përpjekjeje për demokraci. Pas Charlie Hebdo kishte shumë debate, por Franca nuk mori masa represive kundër të drejtave të njeriut për të bërë ndërhyrje në banesa private. Kjo që ndodhi është e dhimbshme, sepse Parisi është simboli i lirisë dhe u sulmuan vlerat e shpresës për të ardhmen”.
Fshazi tregon çastet e ankthit që përjetoi si dhe itinerarin që ka përshkuar në vendet ku ndodhen sulmet.
“Ka qenë një natë tmerri që nuk besoj se do shpjegohet as me filma e dokumentare, për shkak të thellësisë të organizimit kriminal, për shkak të thellësisë së keqes që panë sytë e parisienëve. Bashkë me bashkëshortin tim u ndodhëm në gjithë itinerarin e ngjarjes së rëndë. Qëlluam të ecim në këmbë drejt piacës së Republikës, prandaj patëm fatin të arrijmë 10 minuta më vonë pas vrasjeve në kafenenë, pikërisht atëherë kur po viheshin shiritat e Policisë. Menduam të ktheheshim me metro në shtëpi, por metrotë u bllokuan. U detyruam të marrim biçikleta dhe të bëjmë një rrugë shumë më të gjatë për të shkuar në shtëpi. Kaluam edhe paralel me Bataclan, ku ne nuk ishim koshientë që po ndodhte një tjetër tmerr aty. Jashtë nga Rysharon, ku ka ndodhur më vonë një tjetër sulm, e deri kur erdhëm në shtëpi, gjithë ai itinerar ishte skenë filmash terrori dhe aksioni policor se Parisi po sulmohej njëkohësisht në disa pika”, rrëfen Falma Fshazi.
Ajo thotë se Franca nuk ndodhet në një shtetrrethim, por thjeshtë janë marrë masat e nevojshme dhe Policia ruan gjakftohtësinë.
“Sot Parisi është i qetë, por shumë i trishtuar. Është i plagosur rëndë në zemër. Ka më pak lëvizje se zakonisht. Është një ditë e ngrirë dhe shumë gri. Policia është prezentë, por nuk është presioni i një shtetrrethimi, sepse Franca nuk kundërpërgjigjet duke krijuar një atmosferë frike në Paris. Masat janë marrë, shkollat janë të mbyllura ndërsa ditën e hëne do ketë një minutë heshtje kombëtare. Ka njerëz që shkojnë në vendet që u sulmuan për të venë qirinj. Është një situatë më e qetë se kur u sulmua Charlie Hebdo”, përfundon Fshazi.