Nga Spitali i Pejës kanë dhënë detaje për gjendjen shëndetësore të 13-vjeçares, e cila është dërguar nga Deçani në Pejë për trajtim mjekësor.
Një paciente 13-vjeçare e cila është në mesin e të helmuarve në Deçan, është dërguar për trajtim mjekësor në Pejë.
Në një prononcim për lajmi.net, drejtoresha e Pediatrisë në Pejë, Kumrije Gashi tha se vajza e pranuar në Pejë kishte arritur me të vjell dhe molisje.
“Është me vjellje, është pranuar e molisur, mirëpo për momentin është pranu në spital me u përcjell deri nesër”, tha ajo.
Gashi theksoi se gjendja shëndetësore e 13-vjeçares nuk është shumë e rëndë.
“Gjendja nuk është edhe e mirë, por nuk është edhe e rëndë”, theksoi ajo.
E pyetur rreth pacientëve të tjerë që kanë kërkuar trajtim mjekësor në Pejë, Gashi tha se ata kanë qenë me gjendje më të mirë shëndetësore dhe pas trajtimit janë lëshuar.
“Kemi pasur edhe pacientë të tjerë, por i kanë marrë infuzionet dhe kanë shkuar te shtëpia”, deklaroi ajo.

















