Përfaqësuesit e qeverisë janë duke u përpjekur për të inkurajuar investitorët e huaj që kapitalin e tyre ta sjellin në Kosovë. Tash së fundmi ekzekutivi ka filluar hartimin e ligjit për investime strategjike por përkundër premtimeve që ky ligj do të përfundojë gjatë këtij muaji, nuk duket të jetë i realizuar.
Përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe shoqërisë civile vlerësojnë se një ligj i tillë mund të ndikojë në tërheqje të investimeve por që i njëjti mund të hasë në kundërshtim me direktivat e Bashkimit Evropian.
Visar Azemi, koordinator në KOSID, tha se nuk kanë pasur qasje për të parë draft ligjin, por që sipas tij, ky ligj mund të jetë i rrezikshëm për shkak se mund të bie ndesh me konkurrencën e BE-së.
“Ne kemi kërkuar draft-ligjin nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për ta parë se a është ai ligj në harmoni me ligjet dhe kriteret e kërkuara nga BE, ashtu siç është proklamuar kohëve të fundit një ligj i tillë do të jetë i rrezikshëm për shkak se bie ndesh me konkurrencë e Bashkimit Evropian. Kemi informacione gjithashtu se Bashkimi Evropian nuk është duke përkrah një ligj të tillë për shkak të këtyre paqartësive të cilat janë në ligj. Ne dyshojmë se ky ligj mund të prodhojë edhe më shumë parregullsi sa i për ketë konkurrencës dhe korrupsionit”, tha Azemi.
Sokol Havollit, këshilltar për ekonomi i kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, tha për Ksp se ligji do të përcaktojë fushat, prioritetet dhe projektet strategjike por njëherësh do të eliminojë edhe procedurat e gjata administrative dhe burokratike me të cilat janë përballur investitorët eventualë. Ai shtoi se me këtë projektligj parashihet mbështetje, lehtësim, kushte favorizuese dhe përshpejtuese në funksion të arritjes së qëllimit kryesor, tërheqjen e investimeve të huaja.
“Kosova ka nevojë për një projektligj të tillë dhe se Kosova është në konkurrencë edhe me rajonin për investimet e huaja. Shumica prej vendeve të rajonit kanë në forma të ndryshme ose ligje për investime strategjike, ose kanë investime tjera nëpërmjet të cilave krijon lehtësira dhe përshpejtim të procedurave për tërheqjen e investitorëve të huaj direkt. Natyrisht në këtë projektligj do të përcaktohen edhe kriteret se kush mund të cilësohet si investitor strategjik dhe këto kritere do të jenë të bazuara në shumën e përgjithshme të investimeve, do të jenë të bazuara edhe në numrin e të punësuarve që ky investim do t’i gjenerojë, në prurjen e teknologjive të reja dhe në krijimin e vlerës së shtuar në ekonominë e Kosovës”, tha Havolli.
Havolli po ashtu tha se projektligji ende është në fazë konsultative përbrenda institucioneve dhe në ndërkohë në momentin kur të vijë koha për në mbledhjen e qeverisë do të ketë edhe konsultime përfshirë edhe me zyrën e BE-së në Kosovë për të adresuar ndonjë vërejtje eventuale që mund të kenë.
Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane, tha se mbështesin projektligjin por që kanë disa rezerva të cilat do të paraqesin gjatë diskutimeve publike, transmeton koha.
“Kemi disa rezerva tona për çka natyrisht në fazën e diskutimit publik të projektligjit do t’i paraqesim edhe komentet tona. Mes tjerash dëshirojmë që ligji në asnjë mënyrë mos të lë hapësirë për shkeljen e dispozitave të prokurimit publik, pra që çështjet e prokurimit publik të përfshihen brenda ligjit për investime strategjike edhe pse natyrisht nuk do të duhej”, tha Zeka.
Ky projektligj ishte premtuar nga vetë kryeministri Isa Mustafa se do të procedohet në Kuvend në fillim të shtatorit, por që ende nuk është hartuar në tërësi.