125 shqiptaro-amerikanë i janë drejtuar me një letër sekretarit të SHBA-së, Anthony Blinken, përmes të cilës kanë kërkuar më shumë mbështetje për Kosovën.
Kjo është bërë e ditur nga një prej autorëve të letrës, Drilon Gashi.
Ai në një postim në Twitter ka shkruar se nënshkruesit e letrës janë nga 25 shtete, ndërkaq, në një intervistë për Zërin e Amerikës, Gashi ka treguar se cilat janë tri pikat kryesore të kësaj letre.
“Janë tre pika kryesore. E para është që gjithsesi në këto momente të ndjeshme sigurie në pjesën veriore duhet të ketë më shumë mbështetje për Kosovën në shtrirjen e sovranitetit dhe në jetësimin e rezultateve të zgjedhjeve lokale atje. Njëkohësisht kishte një thirrje që në përgjithësi të ketë ndryshim në qasjen aktuale të politikës së Shteteve të Bashkuara të Ballkanit dhe të ketë më shumë mbështetje për shtetet sikurse Kosova dhe shtetet tjera që janë më demokratike, më përkrahëse të politikave të jashtme dhe të mos bëhet që tentimi për ta përafruar Serbinë të ketë pasoja për miqtë e tjerë të SHBA-së në rajon, e në veçanti për Kosovën. Në fund, letra bën thirrje që të ketë një zgjidhje të menjëhershme për gjendjen e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës, kjo thirrje është për SHBA-në dhe Qeverinë e Kosovës për kërkesën që bashkarisht të dalin nga situata aktuale”, tha ai.