Plot 66 shtëpi dhe 121 familje kanë pësuar dëme materiale nga përleshjet e armatosura në Kumanovë. Këto janë të dhënat e para që i janë dorëzuar qeverisë dhe autoriteteve komunale nga komisioni për vlerësimin e dëmeve, i cili do të vazhdojë punën në terren edhe në ditët në vijim.
Në bazë të këtyre informacioneve, Komuna e Kumanovës ka shpërndarë ndihmat e para në Lagjen e Trimave. Ndërkohë, katër ditë pas tërheqjes së policisë nga lagja e tyre, banorët ende nuk po arrijnë të marrin veten dhe të largojnë nga mendja atë çfarë ju kishte ndodhur.
“Unë nuk besoj se mund të kthehem në vetë siç kam qenë. Tani ju të gjithë jeni para meje, por unë nuk jam duke parë asgjë përveç luftës që përjetova atë ditë për 14 orë”, thotë një prej tyre.
“Nuk ka dhimbje më të madhe se kjo. Sikur gjithçka të na e shtrojnë me ar, nuk paguhet kjo traumë, që na ka mbetur dhe nuk do largohet kurrë. Çdo minutë e kemi përjetuar vdekjen para syve”, thotë një tjetër, transmeton Top Channel.
“Përjetimet nuk mund të përshkruhen, mjaftojnë pamjet që keni marrë, ndërsa për tekst nuk ka nevojë”, vijon dikush tjetër.
Ish-deputeti shqiptar nga Kumanova dhe pjesëmarrës në konfliktin e vitit 2001, Hysni Shaqiri thotë se këto ngjarje kanë prekur të gjithë shqiptarët.
Ai fton zyrtarët e Tiranës dhe Prishtinës të vitizojnë Lagjen e Trimave dhe në të ardhmen t’i kushtojnë më tepër vëmendje popullatës shqiptare në Maqedoni.
“Ka hapsirë për të vepruar politikisht. Shqiptarët kanë struktura për t’u organizuar dhe për t’i thënë ndal këtij terrori, kësaj politike që po shkakton dhimjbe dhe trauma tek familjet shqiptare. Kjo është dhimbje e gjithë shqiptarëve”, ka thënë Shaqiri.
Ngjarjet e Kumanovës tek qytetarët e Maqedonisë kanë shtuar pasigurinë, që ishte prezente që kur nisi kriza politike, nga e cila duket se vendi nuk do të ketë dalje të shpejtë.