5 ndeshje si titullar dhe vendi i parë për skuadrën e tij. Një fillim i çmendur për Amir Rrahmanin në aventurën e tij të re në Kroaci me RNK Splitin. Ish mbrojtësi i Partizanit ka arritur të bindë menjëherë trajnerin Zoran Vulic, i cili e ka aktivizuar lojtarin e kombëtares shqiptare me kapacitet të plotë në të gjitha takimet e kampionatit. Rreth 450 mninuta në këmbët e shqiptarit që vazhdon të rritet fizikisht, duke bindur tifozët, drejtuesit e klubit dhe stafin teknik vetëm pak javë pas transferimit në Kroaci.
Rrahmani debutoi në javën e parë kundër Lokomotivës së Zagrebit në 13 Korrik dhe që nga ajo datë ai është preferuar titullar nga trajneri i skuadrës së dytë të Splitit. Një paraqitje pozitive Rrahmani dhuroi edhe në derbin e qytetit që përfundoi me rrjeta të paprekura, ndërsa në sfidën e fundit kundër NK Zagreb, 21-vjeçari zhvilloi një ndeshje pothuajse perfekte duke ndihmuar skuadrën e tij të arrinte një fitore bindëse me rezultatin 3-0. Aktualisht, RNK Split mban vendin e parë të klasifikimit me 11 pikë, vetëm dy gola të pësuar dhe asnjë humbje, por me një ndeshje më shumë se Dinamo e Zagrebit.