Lothar Matheus edhe pse nuk e ka dhënë zyrtarisht lajmin, ka vendosur të mos punojë më si trajner. Në moshën 54-vjecare, ish-kampioni i botës me Gjermaninë në vitin 1990, do të bëjë vetëm opinionistin, duke hequr përfundimisht dorë nga trajningu. Për fakin që gjatë karrierës së tij ka luajtur për katër sezone me Interin, shpeshherë i kërkohet të japë mendime për zhvillimet në kampin zikaltër. Matheus është treguar shumë i ashpër me Mancinin për mënyrën sesi po e menaxhon një talent si Xherdan Shaqiri.
“Nëse shpenzon 16 milionë Euro për një lojtar e më pas nuk e aktivizon apo e konsideron të paflevshëm, do të thotë se ke gabuar. Podolski erdhi në formë huazimi nga Arsenali dhe dihet sesi përfundojnë transferime të tillë, por ndryshe është situata me Shaqirin, që la Bayernin për t’u imponuar tek Interi. Ai ishte zëvendësuesi i parë i Frank Riberi dhe Arjen Roben, si dhe la gjurmë në botërorin brazilian.”
Interi po bën gjithcka për të marrë Perisic nga Volfsburgu, por për gjermanin, kjo lëvizje është e gabuar.
“Perisic është shumë i zoti, i shpejtë dhe golashënues. Nëse në shtëpi ke një të ngjashëm me të, sic është Shaqiri, përse duhen shpenzuar kot kaq shumë para?
Matheus ka një opinion edhe për transferimin e futbollistëve gjermanë në Serinë A, që po kthehet në modë.
“Khedira erdhi te Juventusi sepse Reali nuk e donte më, ndryshe nuk do ta kishit parë në Serinë A. Draxler dhe Gotze, që kërkohen nga Juventusi, janë mjaft teknikë, por u mungon karakteri i kampionëve. Gotze nëse nuk luan duhet të shkojë t’i imponohet trajnerit, por kjo nuk po ndodh. Nuk janë tipa si Tevez,Vidal dhe Pirlo.