Komisioni Evropian në Raportin e Progresit të këtij viti për Kosovën do të fokusohet në sundimin e ligjit, qeverisjen ekonomike dhe reformën në administratë. Prandaj, konsultimi me shoqërinë civile janë të nevojshme, pasi kritikat, mendimet dhe komentet janë të rëndësishme për KE-në në hartimin e Raportit të Progresit për Kosovën për vitin 2015.
Kështu u tha në takimin e organizuar sot me temën, “Konsultimi me Organizatat e Shoqërisë Civile për Raportin e Progresit të Vendit 2015 dhe takimin plenar të Dialogut për Procesin e Stabilizim Asociimit”, ku u diskutua mbi rolin e shoqërisë civile në bashkëpunimin me Qeverinë rreth raportit të Progresit dhe Procesin e Stabilizim Asociimit.
Shefi i Njësisë për Kosovën dhe ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, David Cullen tha se aktualisht janë duke hartuar raportin e progresit për Kosovën, në të cilin do të fokusohen në disa fusha kyçe, siç është sundimi i ligjit, qeverisja ekonomike dhe reforma në Administratën publik.
“Në këtë vit në raportin e progresit do të fokusohemi në sundim të ligjit, qeverisja ekonomike, konkurrencën dhe në reformën në administratën publike. Ne kemi për qëllim t’i bëjmë raportet tona më të përdorshme dhe miqësore dhe t’i bëjmë më të lehta për t’i lexuar për reforma të nevojshme. Meqë raporti mbulon çështje jashtëzakonisht politike dhe çështje teknike, ne duhet të gjejmë balancin në këto raporte për të përcjell mesazhe të qarta politike dhe për të ofruar ndihmë dhe udhëzime për vendin dhe administratën dhe autoritetet në mënyrë që të sigurohet me tej standarde me BE-në”, theksoi Cullen.
Ai çmoi lartë edhe mendimet, komentet dhe kritikat e shoqërisë civile, të cilat sipas tij janë të rëndësishme dhe të mirëpritura nga ana e Komisionit Evropian.
“Ushtrimi i raportit vjetor të progresit është në zhvillim të plotë dhe momentalisht jemi në procesin e hartimit të tij. Mbikëqyrja juaj , mendimet, komentet dhe kritikat dhe kritikat ndërtuese janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe shumë të mirëpritura. Ky është takimi i parë i këtij lloji dhe është një ide e shkëlqyer për t’u siguruar se shoqëria civile përdoret dhe reflekon në Kosovë në diskutimet në mes të Qeverisë se Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe si në çdo vend tjetër të Ballkanit kjo formë e shoqërisë civile është një pjesë thelbësore në një sistem demokratik, e cila flet shumë për pluralizëm, për bërjen e politikave, shqetësimet e njerëzve dhe pjesëmarrjen në demokraci, shoqëria civile vazhdon të luajë dhe duhet të luaj një rol kyç”, tha Cullen.
Ndërsa, drejtori i Institutit Riinvest, Lumir Abdixhiku ka folur për kriteret ekonomike në Kosovë dhe arritjes së standardeve evropiane. Ai tha se rritja ekonomike prej 2.93 përqind ende është asgjë dhe Kosovës do t’i nevojitën 25 apo 30 vite për të arritur standardet që ka Kroacia.
Abdixhiku vuri në pah se në Kosova papunësia është problemi kyç, pasi së fundi dolën shifra zyrtare që janë 35 për qind të papunë në Kosovë, që i bie 60 për qind e fuqisë punëtore janë të papunë.
“Gjithsesi varfëria mbetet një prej problemeve kryesore. Nga Banka Botërore dhe institucione tjera thuhet se ka probleme mjaftë të mëdha, pra ka tri disbalanca kryesore. Njëra është që, e para është se ekonomia varët shumë nga konsumi…Konsumi gjithnjë po rritet ndërsa investimet po bien. Pagat publike, remitancat, subvencionet që janë rritur vitin e kaluar e kanë rritur konsumin. Pagat publike kanë arritur maksimumin që mund të arrijnë me mjetet e tanishme buxhetore, ndërsa investimet provat e gjithnjë po bien”, tha Abdixhiku.
Si problem tejet të madhe, sipas Abdixhikut mbetet edhe korrupsioni, i cili vjen në shprehje në prokurimin publik, pasi aty është më i koncentruar.
Përfaqësuesi i Këshillit Evropiane të Investitorëve, Emmanuel Mitsou tha se mos respektimi i ligjit është një vrasje për bizneset.
Në këtë tryezë po ashtu është kritikuar Qeveria për mos bashkëpunim me shoqërinë civile në hartimin e ligjeve dhe akteve tjera. Po ashtu, është folur edhe për sundimin e ligjit-pengesat dhe mangësitë, mbrojtja dhe promovimi i lirive themelore të të drejtave të njeriut dhe institucionet e Kosovës-funksionimi demokratik dhe efikasiteti.