1000 Euro Gjobë për Një Çaj Kamomili në Komoran

E publikuar: 25/07/2015 20:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

  • Sefedin Krasniqi, qytetar i Komunës së Drenasit, ka dërguar një faturë jofiskale në ATK të biznesit “Sharri” në Komoran dhe ka vendosur që të mbetet emri i tij publik.

    Si shkas i kësaj fature, inspektorët e kanë dënuar këtë biznes me 1 mijë euro gjobë. Krasniqi, ka raportuar në Kallxo.com se pasi që pronari Afrim Hyseni e ka kuptuar se ky ishte personi që ka dërguar kuponin jofiskal në ATK e ka kërcënuar dhe e ka fyer.

    “’A vetëm ty të ka mbetur që t’i dërgosh kuponët në ATK?’ Ai më ka quajt tradhtar. Me ka thënë se ku ta sheh firmën Sharri nuk guxon me hy te ne”, theksoi Krasniqi.

    Pas këtij ofendimi, Krasniqi tha se e ka njoftuar policinë. Mirëpo, edhe me policinë nuk është i kënaqur pasi sipas tij rasti ka mbetur për kundërvajtje ndërsa ky vlerëson që është kërcënim.

    Edhe Policia e Kosovës, e ka konfirmuar këtë rast për Kallxo.com duke thënë se me datën 28 mars 2015 rreth orës 16:10, policia ka pranuar një informatë nga ankuesi Sefedin Krasniqi, nga Fshati Negroc/Gllogoc, se është ankuar se pronari i marketit “SHARRI Center” Afrim Hyseni nga Komorani, e kishte ofenduar me fjalë dhe kishte kërkuar që të mos hynte më në lokalin e tij.

    Sipas policisë pas marrjes së deklaratës nga ankuesi Sefedin Krasniqi, dhe nga personi i dyshuar Afrim Hyseni, dhe pas konsultimit me prokurorin kujdestar Fatmir Behrami, rasti është cilësuar si Sulm Verbal, në bazë të ligjit mbi Rendin dhe Qetësinë Publike, neni 5, pika 1.

    Toger Driton Morina Komandant i Stacionit Policor Gllogoc, në përgjigjet e kthyera me email, ka thënë se pas konsultimeve me prokurorin e shtetit, rasti ka mbetur për kundërvajtje sipas ligjit.

    Sipas tij, policia i ka zhvilluar hetimet në këtë rast, nuk ka ngritur kallëzim penal dhe nuk e ka dërguar rastin në prokurori pasi nuk ka pasur element për vepër penale.

    Të njëjtën gjë për Kallxo.com, e ka konfirmuar edhe pronari i këtij biznesi.

    Afrim Hyseni tha se Sefedin Krasniqi ka shkuar me qëllim kur e ka kuptuar që në këtë qendër nuk ka punuar arka fiskale.

    “Ai djali me qëllim të caktuar ka shkuar atë ditë që nuk ka qenë t’u punuar makina fiskale te unë. Qysh e ka marr vesh qa ka bo ai, nuk e di e ka marr një çaj kamomil dhe ai e ka marr kuponin që lëshohet para kuponit fiskal se ne e kemi dërguar me rregullu në servis arkën dhe inspektorët na kanë dënuar për një çaj me 1 mijë euro”, u shpreh ai.

    Hyseni tha se nuk e ka kërcënuar Krasniqin mirëpo, i ka treguar se është i padëshirueshëm në lokalin e tij.

    “Unë atë zotërinë nuk e kam kërcënuar po i kam thënë qa t’kam pas borxh me ma bo atë punë. O dashtë me ma lyp paragonin në bllok deri sa te marr arkën fiskale. Unë i kom than atij zotërisë ku kam lokal temin ti je njeri i padëshiruar. Nuk dua pare prej teje, nuk dua asgjë tjetër. Asgjë tjetër me të më nuk kam pas punë”, tha ai.

    Ndërsa, Administrata Tatimore e Kosovës nuk ka dhënë detaje lidhur me këtë rast.

    Valentina Bytyqi-Sefa, zyrtare për Komunikim me Publikun, ka dërguar përgjigje me email duke thënë se gjobat ndaj bizneseve për moslëshim të kuponit fiskal, janë të parapara sipas Ligjit nr. 03/L-222, ku gjoba përcaktohet sipas qarkullimit vjetor, dukë filluar nga125 euro deri në 1000 euro.

    “Në bazë të Ligjin Nr 03/L-222 – për Administratën Tatimore dhe Procedurat, përkatësisht nenin 84 që përcakton konfidencialitetin e informatave tatimore, informatat e tilla konsiderohen konfidenciale”, tha ajo.

    Ajo shton se Administrata Tatimore e Kosovës i bën thirrje të gjithë qytetarëve që t’i lajmojnë rastet kur hasen në kuponë jofiskalë.

    Zyrtarja thotë se vetëm nga 1 janari 2015 deri me 30 qershor 2015 numri total i kuponëve dhe informatave nga linja online për parregullsi tatimore është 361. Ndërsa, numri i gjobave të shqiptuara si rezultat i informatave në kuti dhe linje online është 165, transmeton kallxo.com.

    Ndryshe, rasti sipas policisë pas kompletimit është dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me fletëparaqitje kundër personit Afrim Hyseni.