100 mijë euro tender njëburimor nga Telekomi i Kosovës, shpërblehet një kompani nga SHBA

E publikuar: 03/02/2026 16:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Telekomi i Kosovës ka vazhduar praktikën e dhënies së kontratave njëburimore me vlera të larta, duke zgjedhur vetëm një kompani për nënshkrimin e kontratave, pa garë dhe pa konkurrencë. Së fundmi, kjo ndërmarrje publike ka shpërblyer një operator ekonomik me kontratë në vlerë prej 100 mijë eurosh, pa iu nënshtruar procedurave të hapura të garës dhe në kundërshtim me parimet bazë të Ligjit për Prokurimin Publik, raporton Infosot.

Kontrata është lidhur ndërmjet Telekomit të Kosovës dhe kompanisë “Integratouch LLC”, me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më 28 janar 2026, ndërsa nënshkrimi i saj është planifikuar për datën 10 shkurt të këtij viti. Sipas dokumentacionit zyrtar, kjo kontratë ka për qëllim mirëmbajtjen e platformës së billingut POSTPAID-SYMPHONY, duke u realizuar përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, çka praktikisht përjashton konkurrencën dhe transparencën që kërkon legjislacioni në fuqi.

Shërbimi në fjalë përfshin mirëmbajtjen e një platforme kyçe për tarifimin e konsumatorëve mobilë dhe fiksë, duke përfshirë edhe shërbimet e roamingut dhe interkoneksionit, një segment strategjik për funksionimin normal dhe financiar të Telekomit të Kosovës. Megjithatë, pavarësisht rëndësisë së këtij sistemi, procedura e ndjekur për dhënien e kontratës ka ngjallur pikëpyetje serioze lidhur me respektimin e ligjit dhe standardeve të prokurimit publik.

Kjo kontratë është dhënë në një kohë kur Telekomi i Kosovës drejtohet nga një menaxhment i emëruar nga Qeveria Kurti. Ndërkohë, qeverisja aktuale, e cila ka më shumë se pesë vite në pushtet, mban rekord për numrin e kontratave njëburimore të dhëna pa garë dhe pa transparencë. Ky trend ka rritur vazhdimisht dyshimet për keqpërdorim të parasë publike dhe për favorizim të operatorëve të caktuar ekonomikë në dëm të konkurrencës së lirë dhe interesit publik.

Telekomi i Kosoves (Dokument)

—————-

Përditësim:

Sqarim i Telekomit të Kosovës për artikullin, “100 mijë euro tender njëburimor nga Telekomi i Kosovës, shpërblehet një kompani nga SHBA”

Telekomi i Kosovës sqaron tenderin njëburimor 100 mijë euro, procedurat e negocimit pa publikim janë ligjore

Telekomi i Kosovës Sh.A. ka reaguar ndaj raportimit të Infosot me titull “100 mijë euro tender njëburimor nga Telekomi i Kosovës, shpërblehet një kompani nga SHBA”, duke sqaruar se procedurat e prokurimit janë zhvilluar në përputhje të plotë me Ligjin për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës.

Sipas sqarimit zyrtar, të gjitha procedurat e prokurimit publik, përfshirë edhe ato me negocim pa publikim, janë realizuar në bazë të dispozitave ligjore në fuqi dhe janë të publikuara në platformën zyrtare të e-prokurimit. Telekomi thekson se përdorimi i kësaj procedure është i lejuar ligjërisht në raste të veçanta dhe zbatohet vetëm kur plotësohen kushtet e përcaktuara me ligj.

Telekomi i Kosovës Sh.A. shton se mbetet i përkushtuar ndaj transparencës dhe informimit korrekt të publikut lidhur me të gjitha aktivitetet e tij të prokurimit.

Sqarimi i plotë:

Telekomi i Kosovës Sh.A.
Prishtinë, më 9 shkurt 2026

Sqarim publik lidhur me procedurat e prokurimit me negocim pa publikim

Telekomi i Kosovës Sh.A. në funksion të transparencës dhe informimit korrekt të publikut, sqaron se të gjitha procedurat e prokurimit publik realizohen në përputhje të plotë me Ligjin për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës dhe janë të publikuara në platformën zyrtare të e-prokurimit.

Lidhur me raportimet e fundit mediatike për kontrata të realizuara përmes procedurës së negociuar pa publikim, si në vijim:

100 mijë euro tender njëburimor nga Telekomi i Kosovës, shpërblehet një kompani nga SHBA