Në Casa Rosa Maria, në kryeqytetin e Paraguait, Asuncion, kuzhina është përplot me vajza llafazane, që përgatisin ushqimin për ta kremtuar ditëlindjen e 13-të të banores së re – një vajze në muajin e pestë të shtatzënësisë. Nëntë banore jetojnë në këtë shtëpi të madhe për nënat e fëmijët, e menaxhuar prej Kishës Katolike. Është ky një vend me atmosferë pozitive, ku dëgjohen të qeshurat e tinejxherëve, si dhe zhurmat e fëmijëve dhe foshnjave.
Në kuzhinë, veshur me xhemper dhe xhinse, është Perla, që luhat të birin e saj njëvjeçar. Ajo i ka 12 vjet. Perla ishte përdhunuar nga vëllai i saj kur i kishte dhjetë vjet dhe u bë nënë në moshën 11-vjeçare, transmeton sot “Koha Ditore” shkrimin e BBC.
Perla është njëra prej 200 vajzave, të cilat kanë kaluar nëpër dyert e Casa Rosa Marias, disa madje edhe nëntëvjeçare.
“Kur janë aq të reja dhe shkëputen nga jeta e zakonshme familjare, duke u sjellë këtu, gjithçka është tejet e rëndë për to”, thotë Cilsa Vera, menaxherja e Casa Rosas. “Por ne u japim kujdes adekuat shëndetësor, rrobe dhe ushqim, për t’i përshtatur me rrethanat e reja”.
Ajo natyrisht se ndodhi edhe me vajzën e quajtur Merdeces. Mercedes, tani 17-vjeçare, kishte mbetur shtatzënë në moshën 12-vjeçare, pasi që ishte përdhunuar nga njerku. Ardhja në Casa Rosa Maria ishte lehtësim i madh për të, transmeton koha.net.
“Në shtëpinë time në fshat, jeta ishte e tmerrshme”, thotë ajo. “Gjithçka ishte shumë më e mirë kur erdha këtu në Asuncion. Tani dua të mësohem për kuzhiniere, ta përfundoj shkollimin dhe të shkoj në universitet. Dua më të mirën për vajzën time dhe nuk dua kurrë që ajo ta përjetojë atë që kam përjetuar unë”.
“Gjendje alarmante”
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Paraguai, 704 vajza nën moshën 14-vjeçare janë bërë nëna vitin e kaluar – rreth dy lindje brenda ditës. Por, shifra e njëmendtë mund të jetë më e lartë – grumbullimi i të dhënave është i pasaktë, posaçërisht në komunitetet e largëta, shumica prej tyre me orë të tëra larg nga Asuncioni, kryeqyteti i Paraguait…