10 vjet më parë, ky investim në Maqedoni do të hapte një dritare shumëdimensionale, në kohë, hapësirë dhe dije. I pari televizion kombëtar privat shqiptar me teknologji digjitale në një kohë që shqiptarët kishin veçse disa orë transmetim në shqip, por mbi të gjitha, një dritare, rrezet e të cilës do të thyenin dhe sheshonin barrierat në shoqëri. Për herë të parë në historinë e Evropës, një televizion dygjuhësor me një mision që përtej të raportuarit, mbillte pajtim dhe vizionin drejt një të ardhmeje vlerash të përbashkëta.
Në qarqe politike përflitej ideja për një mini-shengen ose një Evropë ballkanike, por rrjeti televiziv ALSAT dhe më vonë ALSAT M e bëri këtë integrim, jo me viza por me fuqinë e dijes, të sendërtimit të një mentaliteti të ri bashkë-pajtues. Shumë më herët! Kështu u pushtuan hapësirat tona të mendjes, hapësirat globale me valët ku shtrihej Alsat, dhe me ëndrrën për forcimin e tij kudo, jo vetëm në tre qendrat Shqipëri-Maqedoni-Kosovë por kudo ku kishte shqiptarë, dhe jo vetëm, ku kishte njerëz që besojnë tek vlerat e vizionet dhe jo tek konceptet e vjetruara e prapanike.
Alsat i dha formësim mendjes sonë të re, me lajme, me emisione politike, shoqërore, argëtuese dhe sportive të patentuara me të drejta ekskluzive. Për herë të parë, elementi edukativ shpalosej jo vetëm në kohë dhe hapësirë, por në dije, duke pushtuar çdo qytetar në Maqedoni falë transmetimit dygjuhësor, shpeshherë të njëkohshme në dy kanale audioje.
Ideja e televizionit ALSAT mori jetë në Tiranë, një ide e guximshme në vetëm disa vite pluralizëm që kishte Shqipëria. Sipas Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (Shqipëri), ALSAT u regjistrua më 11 shtator të vitit 2000 si “Televizioni Kombëtar Satelitor Sh.A.” nga fondacioni “Velija”. Për nga projekti, një ndër më të mirët në Ballkan, Alsat kishte për qëllim krijimin e një yjësie mes kryeqendrave Tiranë-Prishtinë-Shkup, dega e së cilës ishte në Bruksel, truri i Evropës së bashkuar. Në vitin 2003, ai lëshoi sinjalin e parë në satelit, me një program 24-orësh në shqip dhe me një audiencë prej 10 milionë shikuesish jo vetëm në trevat me shqiptarë por edhe në Evropë, SHBA dhe Kanada. 3 vjet më vonë, u kurorëzua televizioni ALSAT M.
Byroja e vogël e informimit u shndërrua kështu në një televizion, pasi licenca për shtrirje kombëtare të sinjalit tokësor ishte siguruar që në vitin 2004. Mes 150 transmetuesve audio-vizualë në territorin e Maqedonisë, ALSAT M shumë shpejt u bë mysafiri i adhuruar në shtëpitë e qytetarëve të Maqedonisë.
Lajmet, shtylla kryesore e informimit, ishin instrumenti që jo vetëm shkrinë tabutë por rritën besimin tek popujt në Maqedoni. Duke përfshirë edhe emisionet debative, shoqërore, ato nga fusha e shëndetit dhe muzikës, që të gjitha në dy gjyhë, Departamenti i Informacionit mbante rolin kryesor jo vetëm të informimit por edhe të ndërtimit të opinionit në shoqëri.
Ngjarje të tjera, sidomos ato me të drejta ekskluzive sportive, si “Bundesliga”, “Liga Evropa” dhe “La Liga”, edhe këto në dy gjuhë, e bënë ALSAT M, ekranin e preferuar të të gjithëve.
Pastaj, me shfaqjen e telenovelave të para turke, veçanërisht “Luginën e Ujqve”, një kthesë e re u vendos në të gjithë tregun kinematografik të televizioneve në Maqedoni, ndërsa sot, përveç përkthimit, konkurrenca ka bërë që industria filmike të nisë hapat e parë drejt dublimit dhe përshtatshmërisë së filmave.
Kështu, për vite me radhë si media më e suksesshme në Maqedoni, sondazhet tregonin se atij i besonin 86% e shqiptarëve.
Dhjetëra e dhjetëra çmime nga misionet e huaja dhe vendore, që nga OSBE-ja, Shoqata Evropiane e Biznesit, institucione vendore publike e nga sektori civil, për kontributin që ALSAT ka dhënë në ndërgjegjësimin e popujve mbi segmente të bashkëjetesës, sundimit të ligjit, barazisë etj.
Ndërsa fryti i dygjuhësisë korret akoma më shumë, edhe tani 10 vjet më vonë, ku ALSAT M jo vetëm që ruan primatin tek shqiptarët por renditet i dyti në nivel shtetëror.
Elementi i dygjuhësisë dhe iniciativa e ngritjes së urave të komunikimit nga ALSAT M, u përshëndet edhe nga Komisioni Evropian, i cili për herë të parë përmendte konkretisht një televizion në raportet e tij të Progresit. Në vitin 2010, në raport shkruhej konkretisht: “Vetëm një kanal televiziv (në gjuhën shqipe) transmeton programe dygjuhësore dhe kontribuon aktivisht në një mirëkuptim më të madh të përbashkët mes dy komuniteteve më të mëdha”
Shumëkush nuk arrinte ta imagjinonte se teza e dygjuhësisë do të funksiononte me kaq efikasitet në një vend me plagë konflikti. Por, më madhështore se kaq, ALSAT M dhe ekipi i tij që punon pa u lodhur dhe me përulësi, mbetet shprehje e modestisë që buron nga motoja “Alsat, për të gjithë”.