Disa shtete do të përjetojnë një periudhë kaosi
Do të zbehet fuqia e SHBA-së
Para pak kohësh, agjencia private e inteligjencës ‘Strategic Forecasting’, ose ‘Stratfor’, ka publikuar parashikimin e dekadës, në të cilin parashikon zhvillimet globale politike e ekonomike gjatë dhjetë viteve të ardhshme Stratfor’ beson se ka identifikuar trendët e mëdhenj të 10 viteve të ardhshme. Në shumë mënyra, ‘Stratfor’ mendon se bota pas një dekade do të jetë vend më i rrezikshëm, derisa do të zbehet fuqia e SHBA-së dhe shtetet tjera të shquara do të përjetojnë një periudhë kaosi.
Rusia do të kolapsojë
“Nuk do të ketë kryengritje kundër Moskës, por paaftësia e Moskës për ta mbështetur dhe kontrolluar Federatën Ruse do të lërë vakuum”, tërheq vëmendjen ‘Stratfor’. “Ajo që do të ekzistojë në këtë vakuum do të jenë fragmente individuale të Federatës Ruse”. Sanksionet, rënia e çmimeve të naftës, rënia e vlerës së rublës, shpenzimet e rritura të ushtrisë dhe mosmarrëveshjet e brendshme do ta dobësojnë Qeverinë qendrore të Rusisë. Nuk do të ndahet zyrtarisht në shumë shtete, por pushteti i Moskës do të dobësohet deri në momentin kur Rusia do të përbëhet nga një varg i rajoneve gjysmë autonome.
SHBA-ja do ta përdorë ushtrinë për t’i siguruar armët bërthamore
Infrastruktura e armëve bërthamore të Rusisë është e përhapur në një zonë të gjerë gjeografike. Nëse ndodh shpërbërja politike të cilën e parashikon ‘Stratfor’, do të thotë se armët, materialet zbërthyese dhe sistemet e dorëzimit mund të përfundojnë të ekspozuara në vakuumin më të rrezikshëm në botë. Për këtë arsye SHBA-ja do të duhet që ta gjejë një mënyrë se si të merret me këtë problem, madje edhe kjo do të thotë dërgim të trupave tokësore për t’i siguruar armët, materialet dhe raketat.
Gjermania do të ketë probleme
Gjermania e ka një ekonomi të varur nga eksporti që ka përfituar mirë nga liberalizimi i tregut që është mundësuar nga Bashkimi Evropian dhe euroja. Por, kjo do të thotë se shteti mund të humbë më së shumti nga një krizë e euros dhe nga vala rezultuese e euroskepticizmit. Konsumi vendor i shtetit nuk do të mund ta kompensojë këtë rënie në ekonominë eksportuese të Gjermanisë ose një rënie të parashikuar të popullatës. Rezultati do të jetë një ngecje e stilit të Japonisë.
Polonia do të jetë njëra nga lideret e Evropës
Në lindje të Gjermanisë gjërat nuk do të jenë edhe aq keq.“Në qendër të zhvillimit ekonomik dhe ndikimit politik në rritje e sipër do të jetë Polonia”, thuhet në raport. Popullata e Polonisë nuk do të shënojë rënie aq shumë sa ekonomitë tjera kryesore evropiane. Fakt është se Polonia është një ndër shtetet më të mëdha dhe më të suksesshme në kufirin perëndimor me Rusinë.
Do të jenë katër Evropa
Para pak kohësh uniteti evropian dukej sikur një forcë e pandalshme historike, me heqje të barrierave politike dhe ekonomike mes shteteve dhe me zhdukje të nacionalizmit nga politikat e kontinentit. Pas 10 vjetësh, kjo do të duket si një kujtesë e largët. Në parashikim flitet për katër Evropa që do të bëhen gjithnjë e më të distancuara nga njëra-tjetra: Evropa Perëndimore, Evropa Lindore, Skandinavia dhe Ishujt Britanikë.
Turqia dhe SHBA-ja do të jenë aleate të ngushta, por për arsye të papritur
Disa shtete arabe janë në gjendje të rënies së lirë, ndërsa ky kaos nuk parashikohet të ndalet së shpejti. Nga kjo do të përfitojë Turqia, si shtet i fortë dhe relativisht stabil kufijtë e të cilit shtrihen nga Deti i Zi deri te Siria dhe Iraku. Turqia do të ngurrojë që të intervenojë në konfliktet në kufijtë e saj, por do ta bëjë këtë, sipas parashikimit. Derisa rritet forca e Ankarasë në krahasim me fqinjët e saj, shteti do të bëhet partner i domosdoshëm i SHBA-së. Por, Turqia do të kërkoja diçka: një linjë të mbrojtjes kundër një shteti të fuqishëm dhe agresiv me baza ushtarake në Armeni. Turqia do ta kërkojë ndihmën e Amerikës për ta mbajtur larg Rusinë.
Kina do të përballet me një problem të madh
Kina mund ta ketë një dekadë të vështirë para vetes me ngadalësim të zhvillimit ekonomik, i cili do ë shkaktojë pakënaqësi ndaj Partisë Komuniste në pushtet. Por, partia nuk do të liberalizohet, që do të thotë se opsioni i vetëm i kontrollimit të kaosit do të jetë rritja e opresionit në vend. Kina do të përballet edhe me një problem, ndoshta edhe më të madh. Zhvillimi i kinës nuk është shpërndarë në mënyrë të barabartë në aspektin gjeografik. Qytetet bregdetare po lulëzojnë, por brendia e shtetit ka më pak qasje në tregjet ndërkombëtare.
Japonia do të jetë fuqi detare e Azisë
Japonia ka një traditë detare të vjetër disa shekuj dhe si shtet ishull është i varur nga importe të caktuara. Kina është duke e ndërtuar një marinë moderne dhe mund të bëhet më agresive në rrugët e lundrimit në Detin Lindor Kinez, Detin Jugor Kinez dhe në Oqeanin Indian nga i cili varet Japonia. Japonia nuk do të ketë opsion tjetër përveç të bëhet e fuqishme në rajon për t’i mbrojtur rrugët e furnizimit.
Do të ekzistojnë 16 Kina të vogla
Ekonomia e Kinës do të ngadalësohet, ndërsa zhvillimi i kapacitetit të prodhimit do të jetë zero. Ky do të jetë lajm i mirë për disa shtete. Niveli i vendeve të punës në prodhimtari do të migrojë në 16 ekonomi të reja me një popullatë të kombinuar prej 1.15 miliardë njerëzve. Kështu derisa zhvillimi i Kinës do të ngecë, duke çuar në pasoja të paparashikueshme ekonomike, Meksika, Nikaragua, Republika Dominikane, Peruja, Etiopia, Uganda, Kenia, Tanzania, Bangladeshi, Mianmari, Sri Lanka, Laosi, Vietnami, Kamboxhia, Filipinet dhe Indonezia mund të shohin përmirësime ekonomike.
Do të zbehet fuqia e SHBA-së
Pasi që bota do të bëhet më e paparashikueshme gjatë 10 viteve të ardhshme, SHBA-ja do të reagojë duke u marrë gjithnjë e me më shumë sfida sesa me marrjen e një roli aktiv të udhëheqjes në problemeve të botës. Zhvillimi i ekonomisë, prodhimi vendor i energjisë, rënia e eksporteve, dhe siguria do të jenë në këndin më stabil të botës dhe do t’ia ofrojnë SHBA-së luksin e mbylljes ndaj krizave botërore. Me rolin amerikan më të kufizuar në aferat globale bota do të bëhet një vend më pak i parashikueshëm.“SHBA-ja do të vazhdojë që të jetë një fuqi kryesore ekonomike, politike dhe ushtarake, por do të angazhohet më pak sesa në të kaluarën”, thuhet në raport.