Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në një konferencë për media ka përshëndetur marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë, teksa ka falënderuar administratën e presidentit Trump për përpjekjet e vazhdueshme për finalizimin e kësaj marrëveshje historike.
Presidenti Thaçi ka thënë se kjo ishte njëri ndër hapat diplomatike më serioze të ShBA-së në dy dekadat e fundit për Ballkanin Perëndimor.
Ndërsa shtoi se finalizimi i kësaj marrëveshje i dha und pretendimeve për ndarje dhe për konspiracione të ndryshme.
“Ndihem i lumtur dhe krenar që pas përpjekjeve dhe punës së përbashkët rreth dy vjet me administratën e Presidentit Trump, me përkushtimin personal të ambasadorit Grenell, të premten e kaluar arritëm që në Shtëpinë e Bardhë të formalizohen këto përpjekje. Kjo ishte ndërmarrja diplomatike më serioze e ShBA-së në këto dy dekada për Ballkanin Perëndimor. Gjatë këtij procesi jo të lehtë, në fakt shumë të vështirë hasem në vështirësi, akuza, pengesa, konspiracione të shumta nga shumë anë. Me formalizimin e kësaj marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë të gjitha këto u treguan të rrejshme, të paqëndrueshme dhe paragjykuese”, tha ai.
Thaçi ka thënë se sikur skena politike kosovare të ishte unike kjo marrëveshje do të ndodhte dy-tri vite më parë, duke shtuar se të premten e kaluar u vërtetua se në Shtëpinë e Bardhë nuk pati thika, harta e as ndarje të Kosovës, por fuqizim ndërkombëtar të shtetit tonë.
Ai ka thënë se ata që pretenduan këto gjëra, duhet t’i kërkojnë falje popullit kosovar, por edhe kombit në përgjithësi.
“Sikur skena politike kosovare të ishte unike në dy tri vitet e fundit marrëveshja do të ishte më e qëndrueshme dhe do të hapte një perspektiv më të madhe për qytetarët e Kosovës dhe se nuk do t’i humbim ato vite në konspiracione, paragjykime, gënjeshtra dhe akuza. U pa se nuk ka pasur thika në Shtëpinë e Bardhë, nuk ka pasur as harta dhe ndarje të Kosovës. Por ka respektim të shtetit të Kosovës dhe fuqizim ndërkombëtar të shtetit tonë. Prandaj ata që kanë hedhur akuza të tilla i ftoj që t’i kërkojnë falje qytetarëve dhe kombit për injorancën që e kanë treguar por edhe në të njëjtën kohë edhe për konfuzionin dhe mashtrimin që kanë pretenduar t’ua sjellin qytetarëve të Kosovës”, tha ai.
Thaçi shtoi se zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të reja të punës, ngritja re mirëqenies sociale, projektet infrastrukturore me kapital të madh, si linjat ajrore, hekurudhore e autostradat kanë qenë gjithmonë prioritet i shtetit të Kosovës.
Gjithashtu ai tha se ndër prioritetet e shtetit tonë mbetet nevoja për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur dhe kthimi individual i të zhvendosurve në shtëpitë dhe pronat e tyre.
Thaçi foli edhe për shqetësimet e ngritura nga Liga Arabe, dhe Turqia rreth njohjes së ndërsjellë me Izraelin, duke thënë se kjo njohje vetëm sa do ta fuqizojë Kosovën në rrafshin ndërkombëtare.
“Unë jam në kontakt me presidentin Erdogan. Kam diskutuar me telefon dhe kjo njohje nuk do ta cenojë në asnjë rrethanë partneritetin strategjik, miqësor e vëllazëror me Turqinë. Tani do të kemi aleat edhe më të mëdhenj dhe më të fuqizim në rrafshin e fuqizimit global të shtetit të Kosovës”, tha ai.
Ai kërkoi nga spektri politik të krijojnë unitet, dhe që të vazhdojnë të punojnë për konsolidimin e Kosovës si në rrafshin e brendshëm por edhe atë të jashtëm.