Deri më tani, sistemi financiar i Kosovës e ka përballuar ndikimin e krizës së shkaktuar nga COVID-19, por zgjatja e krizës mund të ushtrojë trysni mbi sistemin dhe, nëse kriza vazhdon të thellohet, politikëbërësit në Kosovë duhet të jenë të gatshëm për ndërhyrje të mëtejshme me masa të mbështetjes ekonomike dhe sociale.
Kështu deklaroi Massimiliano Paolucci, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, në Konventën Vjetore të Shoqatës së Bankave të Kosovës.
“Për të parandaluar efektet përjecllëse në ekonomi dhe për të mbështetur stabilitetin financiar, rëndësi vendimtare do të ketë forcimi i kornizave të makroprudencës, menaxhimit të krizave, insolvencës, dhe sigurisë financiare”, tha Paolucci. Ai shtoi se “një sektor financiar i shëndetshëm dhe i mirë-kapitalizuar është me rëndësi jetike për rimëkëmbjen”.
Në një komunikatë të dërguar mediave BB vlerëson se sektori bankar deri më tani është dëshmuar i qëndrueshëm sepse hyri në krizë i mirë-kapitalizuar dhe më pak i cënueshëm se në vitet paraprake. Edhe masat prudenciale të marra nga autoritetet për kufizimin e pasojave ekonomike dhe ruajtjen e stabilitetit financiar kanë dhënë kontribut të rëndësishëm.
Sidoqoftë, nëse kriza vazhdon, ngarkesat përkatëse për provizionim të kredive të këqija, të kombinuara me aktivitet më të zbehur kreditor, mund të ushtrojnë trysni mbi profitabilitetin dhe rezervat e kapitalit në sektorin bankar.
Shkalla e rimëkëmbjes ekonomike dhe e rritjes eventuale është larg nga të qenit pa rreziqe. Në terma afatshkurtër, shpejtësia e rimëkëmbjes do të varet kryesisht nga mënyra si evoluon pandemia dhe nga shpërndarja efektive e një vaksine që lejon normalizimin e aktivitetit ekonomik. Kërkohet fokus më i madh në reformat strukturore që të përshpejtohet rimëkëmbja dhe të kompensohen humbjet.
Banka Botërore po i ofron Kosovës mbështetje të gjerë për menaxhimin dhe zbutjen e ndikimit të krizës së COVID-19. Projekti për Emergjencën e COVID-19 po i përgjigjet nevojave urgjente të sektorit të shëndetësisë dhe po shërben në mbrojtje të të hyrave të ekonomive familjare. Një projekt i ratifikuar së fundmi për forcimin e sektorit financiar do të sigurojë kapital për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore, çka pritet t’i inkurajojë bankat t’i mbarvajnë linjat e tyre kreditore për ndërmarrjet duke përmbushur nevojat e tyre për mbështetje të likuiditetit. Edhe projekti i ristrukturuar kohët e fundit për Konkurrueshmërinë dhe Gatishmërinë për Eksport të Kosovës do të mobilizojë financim kritike për grante në mbështetje të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme eksportuese.
Për më shumë, Banka Botërore është në diskutim e sipër me Qeverinë e Kosovës për një operacion për financimin e politikave zhvillimore në vitin 2021. Ky instrument i ofron shteteve mbështetje buxhetore për të përmirësuar qëndrueshmërinë makro-fiskale, sipas vlerësimeve të vazhdueshme nga Banka Botërore dhe FMN-ja, dhe për të avancuar reformat strukturore që mbështesin një rritje të qëndrueshme e gjithëpërfshirëse, dhe e ulin e varfërinë.
Për të pasur qasje në këtë instrument, autoritetet duhet të zhvillojnë dhe të miratojnë një buxhet kredibil për vitin 2021, t’i shmangen miratimit të përfitimeve/skemave të reja pensionale përpara se të përmirësohen kapacitetet për analizimin dhe kostimin e përfitimeve të tilla për të konfirmuar qëndrueshmërinë e tyre përgjate kohës, të drejtojnë shpenzimet e mbrojtjes sociale për familjet më të varfra dhe më të cenuara, si dhe të avancojnë me reformat e domosdoshme rregullative për zhvillimin e sektorit privat.
Para disbursimit, ky operacion i mbështetjes buxhetore duhet të aprovohet nga Banka Botërore dhe Qeveria e Kosovës, si dhe të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës.
Portofoli aktual i operacioneve të Bankës Botërore në Kosovë arrin në 281,6 milionë dollarë amerikanë të kredive koncesionare dhe përfshin 11 projekte në sektorë të ndryshëm zhvillimorë.