​Mustafa mbështet ministren Bajrami: Plaçkitja e parasë publike ka adresë

E publikuar: 21/10/2020 22:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa ka reaguar pas ‘avullimit’ të më shumë se dy milionë eurove nga Thesari i Kosovës.

Ai thotë se Hykmete Bajrami nuk është ministre e Financave për t’u dorëzuar përballë ‘hajdutëve duke krijuar boshllëk për fshehjen e gjurmëve të vjedhjes së parasë publike, por për t’u ballafaquar me krimin dhe hajdutët’.

“Shoh se dikush ka dëshirë dhe bën thirrje që ajo të jep dorëheqje. Krimi, korrupsionin dhe plaçkitja e parasë publike ka adresë. Ftoj organet shtetërore të punojnë për zbardhjen e shpejtë të këtij rasti, që të kthehen paratë e vjedhura nga Buxheti i Shtetit dhe kriminelët të përgjigjen para ligjit”, shkruan Mustafa në Facebook.

Partia Demokratike e Kosovës kërkoi dorëheqjen e ministres Bajrami, pas shpërthimit të skandalit në lidhje me miliona euro të keqpërdorur. Por, kjo e fundit ka hedhur poshtë mundësinë e dorëheqjes, duke thënë se drejtësia do t’i jep dënimin e merituar çdokujt që ka dorë në këtë abuzim.

2.1 milionë euro nga Thesari i Shtetit kanë shkuar në llogari të një operatori ekonomik, e lidhur me këtë rast janë suspenduar dy punëtorë të Thesarit të Shtetit, derisa njëri edhe është arrestuar. Ky i fundit që dyshohet se ka kryer transaksionin, për 11 vjet ka qenë punëtor i Thesarit të Shtetit.

Mjetet janë tërhequr nga buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës më 9 tetor, e vetëm dje është denoncuar rasti. Lidhur me rastin janë njoftuar organet e rendit, por nuk janë dhënë detaje se te cili operator ekonomik janë transferuar paratë.

Postimi i plotë i Isa Mustafës:

Qytetarë të nderuar

E përkrah plotësisht ministren e Financave, Hykmete Bajrami në betejën e saj kundër kriminelëve që vodhën mbi 2 milionë euro nga Thesari i shtetit.

Shoh se dikush ka dëshirë dhe bën thirrje që ajo të japë dorëheqje. Por ata duhet ta kuptojnë se ministrja Bajrami nuk është aty për t’u dorëzuar para hajdutëve duke krijuar boshllëk për fshehjen e gjurmëve të vjedhjes së parasë publike, por për t’u ballafaquar me krimin dhe me hajdutët, ashtu siç po vepron me të drejtë ajo.

Krimi, korrupsionin dhe plaçkitja e parasë publike ka adresë. Ftoj të gjitha organet shtetërore të punojnë për zbardhjen e shpejtë të këtij rasti, që të kthehen paratë e vjedhura nga Buxheti i Shtetit dhe kriminelët të përgjigjen para ligjit. IM