LDK i ka dënuar aktet e sotme të opozitës duke thënë se ato duke përdorur prej, gaz lotsjellës kanë synuar të lëndojnë Kryeministrin Isa Mustafa.
LDK, këto veprime i konsideron kriminale kërkon që organet kompetente që të mos i tolerojnë më.
Ja çfarë thuhet në reagimin e LDK’së:
Lidhja Demokratike e Kosovës, dënon ashpër aktet e dhunës dhe sulmet e njëpasnjëshme të kryera nga deputetët e partive opozitare, gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilat vunë në rrezik jetën e deputetëve, anëtarëve të Qeverisë, përfaqësuesve diplomatikë dhe punonjësve të tjerë të Kuvendit të Kosovës.
Aktet e ulëta, të karakterizuara nga përdorimi i mjeteve helmuesve, si sprej dhe gaz lotsjellës, siç deklaruan vetë kryerësit e këtyre veprimeve të tmerrshme, kishin për cak kryesor të lëndojnë kryeministrin e Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë legjitime të Republikës së Kosovës.
Lidhja Demokratike e Kosovës, konsideron se aktet e tilla të opozitës, janë veprime kriminale të cilat nuk duhet të tolerohen më tutje nga organet kompetente.
Me këto veprime, partitë opozitare, po përpiqen që për përfitime ekskluzivisht politike të tyre, të dëmtojnë shtetin e Kosovës, të dëmtojnë perspektivën integruese evropiane, të pamundësojnë liberalizimin e vizave dhe të stagnojnë progresin që po arrihet në Republikën e Kosovës.
Këto akte, synojnë të zhysin shtetin tonë në dhunë dhe anarki, duke menduar se vetëm në këto situata ata mund t’i realizojnë ambiciet e tyre për pushtet, pa votën e qytetarëve.
Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh përkrahjen e plotë për Qeverinë e Republikës së Kosovës të udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa, dhe për progresin e gjithanshëm që po arrihet në Kosovë, në zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale, forcimin e shtetit ligjor dhe anëtarësimin e Kosovës në BE.
Lidhja Demokratike e Kosovës i bën thirrje partive opozitare që të ndërpresin menjëherë aktet e dhunës dhe të reflektojnë për veprimet e tyre që po dënohen nga mbarë bota demokratike dhe qytetarët e vendit.
Progresi i Republikës së Kosovës nuk mund të jetë peng i një pakice të dhunshme, e cila nuk ka vizion dhe përkrahje qytetare, dhe e cila tashmë po kërkon aleanca të fshehta me shtete që nuk ia duan të mirën shtetit dhe qytetarëve të Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh përkushtimin e saj të plotë për të kontribuuar në fuqizimin e gjithanshëm të shtetit të Kosovës, në miqësi të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.