​Kurti: Funksionimi i Universitetit në veri të Mitrovicës nuk është legjitim

E publikuar: 07/07/2021 12:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se funksionimi i Universitetit në veri të Mitrovicës nuk është legjitim, pasi nuk ka hartuar një statut në përputhje me Ligjin për Arsimin dhe nuk është akredituar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim.

Gjatë seancës së sotme plenare, Kurti pas pyetjes së deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi për ndërtimin e universitetit në pjesën veriore me financim serb,  tha se askush nuk duhet të vë në dyshim mekanizmat e shtetit për të parandaluar një veprimtari të jashtëligjshme.

“Nuk ka dyshim se funksionimi i këtij universiteti nuk është legjitim, pasi nuk ka hartuar një statut në përputhje me Ligjin në Komuna dhe nuk është akredituar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim dhe për këtë arsye ky universiteti nuk financohet nga buxheti i Kosovës dhe nuk do të menaxhohet deri sa funksionimi i tij të jetë në përputhje me Ligjet e Kosovës”, deklaroi ai.

Kryeministri theksoi se e kanë parasysh se në atë Universitet studiojnë qytetarët e Kosovës dhe është interes i Kosovës që qytetarët në atë pjesë t’i integrojnë në institucionet e vendit.

“Askush nuk duhet ta vë në dyshim se shteti jonë ka mekanizma për të parandaluar një veprimtari të jashtëligjshme, por gjithashtu e kemi parasysh se këtë universitet studiojnë qytetarë të Kosovës dhe është interes i yni që ata të integrohen në shtetin tonë”, tha Kurti.