Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka mbajtur sot mbledhjen konstituive me anëtarët e kryesisë së re të PDK-së.
Një ditë pas miratimit në këshillin drejtues, kryesia e re e PDK-së, ka nisur menjëherë punën dhe ndarjen e detyrave për të punuar në realizimin e programit të PDK-së dhe vizionit të kryetarit të ri, për të realizuar reformat për fitoret e ardhshme për PDK-në dhe Kosovën.
Sipas një komunikate të PDK-së, kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi iu dëshiroi mirëseardhje në PDK anëtarëve të rinj të kryesisë të cilët i janë bashkuar PDK-së dhe vizionit të saj si parti shtet formuese.
Ai po ashtu ka uruar edhe anëtarët e rinj të kryesisë së PDK-së që janë rritur politikisht në parti e që tani kanë arritur të përfaqësohen në kryesi.
Kreu i PDK-së edhe gjatë mbledhjes së kryesisë, ka falënderuar të gjithë anëtarët e këshillit drejtues për besimin e dhënë për kryesinë e re, e cila siç tha ai, ka para vetes shumë punë e sfida drejt arritjes së fitores së PDK-së në zgjedhjet e ardhshme.

















