Fondacioni i Mileniumit të Kosovës (MFK) dhe Komuna e Lipjanit nënshkruan sot një memorandum mirëkuptimi për implementimin e projektit për riparimet për eficiencë të energjisë në këtë komunë.
Marrëveshja përcakton parimet dhe procedurat drejt përmirësimit të masave për eficiencë të energjisë në sektorin rezidencial, përmes ofrimit të asistencës teknike dhe mbështetjes financiare për të bërë shtëpitë në këtë komunë më eficiente.
Drejtori ekzekutiv i MFK-së, Petrit Selimi, ka cilësuar Lipjanin si një komunë tejet mirë të menaxhuar, që është përzgjedhur nga Banka Botërore për projektin për krijimin e këshillave banesore dhe auditimeve energjetike.
Ai tha se ky projekt do të hapë rrugën për një koncept të ri të subvencioneve për të kontribuuar në përmirësimin e eficiencës të energjisë në shtëpitë në Kosovë.
Ndërsa, kryetari i Lipjanit Ahmeti, çmoi lart mbështetjen e ofruar nga MFK dhe MCC, duke e konsideruar si tejet të rëndësishme dhe jetike për qytetarët e komunës që ai drejton.
“Riparimet për eficiencë të energjisë padyshim që do të ndihmojnë në kursimin e energjisë në sektorin residencial, si dhe do të ndikojnë direkt në mirëqenien e qytetarëve”, tha ai.
Ahmeti u zotua se prioritet të veçantë në buxhetin e Komunës së Lipjanit do t’i kushtohet riparimeve për eficiencë të energjisë, duke mos u kufizuar vetëm në ndërtesa shumë-banesore por duke u zgjeruar edhe në shtëpitë tjera individuale.
Drejtoresha e MCC-së për Kosovë, Sarah Olmstead tha se marrëveshja e nënshkruar sot reflekton një bashkëpunim të frytshëm që nga fillimi.
“Mezi presim të fillojmë punimet për përmirësimin e rehatisë dhe eficiencës së shtëpive në Lipjan, si dhe komunave të tjera partnere”, tha ajo.
Në kuadër të Pakos së Intervenimit për Riparimet për Eficiencë të Energjisë në Ndërtesa Banesore (AER), do të riparohen rreth 700 apartamente në 7 komuna të Kosovës, duke zvogëluar konsumin e energjisë elektrike, si dhe duke kontribuuar në ngritjen e vetëdijes për përftimet që sjellin masat për efiçiencë të energjisë.
Kjo pako e intervenimit ndër të tjera përfshin: përmirësim e izolimit termik të mureve, kulmeve, ndërrimin e dritareve dhe dyerve të jashtme; renovimin e kaldajave të sistemit të ngrohjes qendrore dhe riparime të tjera të ngjashme që dukshëm ndikojnë në kursimin e energjisë elektrike.
Në kuadër të projektit 20.6 milionësh ‘Subvencione për Eficiencë të Energjisë’, do të lidhen edhe 6 memorandume të tjera bashkëpunimi me komunat si: Prishtinë, Gjakovë, Viti, Mitrovicë, Gracanicë, Novobërdë, me qëllim të kontribuimit në zvogëlimin e konsumit të energjisë përmes stimujve financiarë në masa të eficiencës së energjisë.
SEEK është pjesë e projektit “Peizazhi i Energjisë së Besueshme (RELP), mundësuar nga Korporata e Sfidave të Mileniumit (MCC), me qëllim të zvogëlimit të hendekut midis kërkesës dhe furnizimit me energji.