Kryeministri Avdullah Hoti ka bërë të ditur se të dielën do të rifillojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.
Pas takimit me Komitetin për koordinimin dhe vlerësimin e situatës emergjente me koronavirus, Hoti tha se do ta përfaqësojë Kosovën si kryeministër i vendit.
Ai ka dhënë detaje edhe për takimin me Emmanuel Macron në Paris, ku tha se ia ka bërë të qartë presidentit francez se në dialogun me Serbinë pala kosovare për qëllim ka njohjen reciproke.
“Në Bruksel parashihet që të fillojë dialogu më datë 12 korrik, pas samitit. Në bazë të Kushtetutës të Kosovës dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit të kaluar, Kosovën në procesin e dialogut do ta përfaqësojë kryeministri i vendit dhe në përputhje me nevojën për të krijuar konsensus sa më të gjerë do të kompozojë delegacionin e nevojshëm për të përfaqësuar vendin”, tha Hoti.
Gjatë takimit me Macron ka qenë temë e diskutimit edhe procesi i dialogut, për të cilin Hoti ka bërë të qartë qëndrimin e Qeverisë së Kosovës se njohja reciproke është i vetmi qëllim.
“Edhe në takim që kisha me presidentin kam treguar qartë qëndrimin që kemi si qeveri për dialogun me Serbinë, që është një proces shumë i rëndësishëm që përmbyll një çështje të hapur mes të dy vendeve. Kam sqaruar në detaje para presidentit dhe besoj që kisha mirëkuptimin e tij për pozicionin që kemi ne si qeveri që jemi të gatshëm të hyjmë në dialog, por për një dialog që nënkupton njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve, sepse është mirëkuptim i të gjitha palëve që vetëm njohja reciproke përfundimisht e qetëson këtë pjesë të Ballkanit dhe Evropës, dhe mundëson perspektivë euroatlantike… Për ne njohja reciproke është i vetmi qëllim i dialogut me Serbinë dhe normalisht rregullimi ose normalizimi i marrëdhënieve mes të dy vendeve”, tha Hoti.
Sa i përket vizitës në Francë, kreu i qeverisë tha se Parisi zyrtar mbetet i përkushtuar për perspektivën eurointegruese të gjithë rajonit, përfshirë edhe Kosovën.
Hoti tha se me Macron janë dakorduar që të shkëmbejnë informata dy qeveritë, në veçanti të dy ministrive të Punëve të Brendshme sa i përket rendit dhe ligjit për të treguar që institucionet e Kosovës janë partner kredibil për BE-në sa i përket procesit të liberalizimit të vizave.
I pari i qeverisë së vendit ka bërë të ditur se do të punojnë në muajt në vijim për të nxitur rritjen e shkëmbimit ekonomik të dy vendeve, përfshirë një forum të bizneseve mes Francës dhe Kosovës në vjeshtë të këtij viti.
Ai tha se ka ftuar presidentin Macron për vizitë në Kosovë, ku tha se ai e ka pranuar ftesën dhe do të bisedojnë për kohën më të përshtatshme për këtë vit.
Ndërsa, tregoi se kanë nënshkruar dy marrëveshje, njëra që lejon punësimin e anëtarëve të familjeve të diplomatëve në të dy vendet. Kurse, tjetra është marrëveshje mes Qeverisë së Kosovës dhe agjencisë franceze për zhvillim, me të cilën sigurohet një prezencë shumë më e madhe e shtetit francez në ekonomi, në diplomaci, në mbrojtje, në rend dhe ligj. /KosovaPress/