​Hoti akuzon Bulliqin për sulm verbal, Selimi i përgjigjet se nuk kishte ndonjë qëllim

E publikuar: 03/11/2020 20:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i LDK-së Visar Hoti ka akuzuar kolegun e tij nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Shpejtim Bulliqin për sulm verbal sot në hyrje të Kuvendit, duke i thënë se nuk guxon asnjëherë t’ia përmend emrin e tij.

Visar Hoti ka thënë se Shpejtim Bulliqit i ka penguar fjalimi i tij i mbrëmshëm rreth raportit të auditimit për Komunën e Podujevës.

“Ju njoftoj se sot derisa po hyrja në Kuvendin e Kosovës nga hyrja e deputetëve, jam përballur nga një sulm verbal nga deputeti Shpejtim Bulliqi i VV-së… Derisa po kaloja procedurat e sigurisë, jemi takuar me Bulliqin, i cili pasi e kam përshëndetur me mirësjellje sikurse edhe të tjerët, më është kthyer me kërcënim verbal që të mos ia përmend emrin asnjëherë në Kuvend duke e përsëritur atë disa herë. Kjo kërkesë është në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit, sepse është sjellje jo parlamentare… Deputeti Bulliqi nuk e di çka po e pengon kur ia përmendi emrin, nëse dëshiron të më izolojë nga puna ime për Podujevën, do të gabohet rëndë… Deputetit Bulliqi i kishte penguar fjalimi im për raportin e auditimin për Podujevën, i cili demantonte pohimet e Bulliqit se ky raport ishte i keq sa i përket performancës së kësaj komune”, tha Hoti.

Ai tha se e gjithë kjo çështje të përfundojë me një kërkim-falje nga ana e deputetit Bulliqi dhe që atij t’i shqiptohet masa e sjelljes jo parlamentare.

E shefi i GP të LVV Rexhep Selimi ka marrë fjalën në mungesë të Bulliqit që nuk ndodhej në sallë për shkak të aktiviteteve në Komunën e Podujevës, ka kërkuar që debati parlamentar të mos shndërrohet në temë të zgjedhjeve elektorale, derisa shtoi se deputeti Bulliqi nuk ka pasur asnjë qëllim kundër kolegut të tij nga radhët e LDK-së.

“Nëse ka nevojë për debat elektoral, t’ia lëmë fushatës elektorale atje dhe ne si deputet kemi mjaft tema për t’i çuar përpara. Ne edhe njëherë sigurojmë zotin Hoti se asnjë nga deputetët tanë, as deputeti Bulliqi nuk ka asnjë qëllim tjetër përveç qëllimit si deputet këtu”, ka thënë ai./KosovaPress/