Deputeti i NISMA për Kosovën, Haxhi Shala ka thënë se ishte i befasuar me deklaratat e Isa Mustafës e Skender Hysenit se s’kanë pasur informacione për grupin e Kosovës që kishte shkuar në Kumanovë.
“Ne më 10 maj kemi pasur në raport drejtorin e AKI’së. Drejtori tekstualisht na ka informuar se Presidentja, Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm kanë pasur raportin e detajuar në fund të muajit shkurt për të gjitha lëvizjet që kanë ndodhur”, ka thënë ai.
Shala ka thënë se Kryeministri nuk po e thotë të vërtetën lidhur me përfshirjen e kosovarëve në ngjarjen tragjike në Kumanovë.
“Më mirë ishte të arrestoheshin ata se sa të përfshihen në këtë ngjarje”, ka thënë ai, për Klan Kosova.
Edhe deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu, ka thënë se AKI ka pasur informacione se çfarë po ndodhte në Maqedoni si dhe për mundësinë e përfshirjes së kosovarëve në ngjarjen e Kumanovës.