I dërguari special i sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, deklaroi sot se nuk ka krahasim relevant ndërmjet Kosovës dhe Republikës Serbe për Shtetet e Bashkuara.
“Kosova është një shtet me të cilën kemi marrëdhënie diplomatike. Sa për Republikën Serbe, korniza për të ardhmen politike u krijua nga Marrëveshja e Paqes e Dejtonit dhe kjo është e ardhmja e BeH, e cila është e pavarur dhe ka integritetin e saj territorial,” tha Palmer, transmeton gazeta Dnevni Avaz e Bosnjës.
Duke folur për marrëveshjen midis Beogradit dhe Prishtinës në Uashington, Palmer vuri në dukje se marrëveshja e arritur ka për qëllim mbështetjen e normalizimit të marrëdhënieve ekonomike.
“Ne do të dëshironim shumë të shihnim një marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës, e cila do të hapte rrugën drejt BE-së. Normalizimi ekonomik duhet gjithashtu të mundësojë normalizimin politik të marrëdhënieve,” tha ai.