​Konjufca priti ambasadorin austriak, i kërkon ndihmë për të ndalë fushatën e Serbisë

E publikuar: 06/02/2020 17:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, priti në takim ambasadorin e Austrisë në Prishtinë, Christoph Weidinger, me të cilin diskutoi për zhvillimet politike pas zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit 2019, dialogun, liberalizimin e vizave dhe marrëdhëniet dypalëshe,transmeton Lajmi.net.

Ministri i Jashtëm falënderoi ambasadorin Weidinger për përkrahjen që Austria i ka ofruar Kosovës në vazhdimësi dhe po ashtu kërkoi prej tij që Vjena zyrtare të vazhdojë të ndihmojë Kosovën në ndaljen e fushatës së Serbisë për të ashtuquajturën çnjohje të pavarësisë së Kosovës.

Duke folur për dialogun, ministri Konjufca tha se do të bëhet evaluimi i të gjitha marrëveshjeve të deritashme në dialogun Kosovë – Serbi, dhe se qeveria e re do të kërkojë konsensus të gjerë dhe pajtueshmëri të spektrit politik për të vazhduar tutje.

Ambasadori austriak nga ana e tij, falënderoi ministrin Konjufca për pritjen miqësore dhe premtoi mbështetjen e gjithmbarshme të Austrisë për proceset e rëndësishme për popullin e Kosovës, përfshirë edhe votën pro për liberalizimin e vizave.