Lajmet

“Top sekret 2”: Dokumenti që trazoi debatin fetar në Kosovë

02.09.2026 09:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Print
“Top sekret 2”: Dokumenti që trazoi debatin fetar në Kosovë

Një dokument me autorësi ende të pasqaruar publikisht, i përfshirë në aktakuzën për spiunazh ndaj Fatmir Shehollit, ka nxitur një debat që tashmë ka dalë përtej vetë procesit penal.

Në rrjetet sociale, përmbajtja e tij po përdoret për të ngritur pretendime për lidhje ndërmjet institucioneve apo pjesëtarëve të komunitetit mysliman në Kosovë dhe Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA).

Pretendimet kanë shkaktuar reagimin e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), e cila i mohon ato dhe kërkon nga institucionet e drejtësisë dhe sigurisë të sqarojnë vërtetësinë dhe prejardhjen e dokumentit.

Por, pikërisht këtu qëndron një nga paqartësitë kryesore.

Dokumenti është paraqitur nga Prokuroria Speciale si pjesë e provave në aktakuzën ndaj Shehollit, por publikisht nuk është sqaruar nëse ekzistojnë prova se ai është hartuar nga BIA.

Radio Evropa e Lirë e ka pyetur Prokurorinë Speciale nëse ka prova për autorësinë dhe autenticitetin e dokumentit dhe çfarë peshe provuese i jep atij, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

REL-i ka kontaktuar përmes emailit edhe BIA-n, por, njësoj, nuk ka marrë përgjigje.

Sheholli akuzohet nga Prokuroria se ka bashkëpunuar me këtë agjenci serbe.Rasti Sheholli

Në një material të emërtuar “Top sekret 2”, një fotografi e të cilit, sipas Prokurorisë, është gjetur në telefonin e Shehollit, pretendohet se fonde të mbledhura nga “ambasadat islamike” në Beograd, do të investoheshin në ndërtimin e xhamive në Kosovë.

Sipas përmbajtjes së dokumentit, qëllimi do të ishte shtrirja e ndikimit të islamit, përçarja e shqiptarëve, nxitja e emigrimit dhe ndryshimi i perceptimit të Perëndimit për Kosovën, për të krijuar rrethana që do t’i shërbenin synimit të Serbisë për rikthimin e Kosovës nën juridiksionin e saj.

Prokuroria nuk ka bërë publike se mbi çfarë provash e mbështet autenticitetin apo autorësinë e këtij dokumenti.

Nga një dokument në akuza kolektive
Në aktakuzën ndaj Shehollit, BIK-u nuk akuzohet për bashkëpunim me BIA-n.

Megjithatë, pas shpërndarjes së aktakuzës nga media të ndryshme, pretendime të tilla janë shfaqur në rrjetet sociale.

Lëvizja për Rikthim, e cila publikisht angazhohet “për braktisjen e fesë islame dhe rikthimin në besimin e të parëve katolikë”, ka pretenduar në një postim në Facebook se “në çdo xhami të Kosovës” gjendet së paku një “spiun” i BIA-s.

Arbër Gashi nga kjo lëvizje konfirmon për Radion Evropa e Lirë se postimi përputhet me qëndrimin e saj.

“Është e qartë që ajo është faqe, e cila bën edhe propagandën e vet dhe i kundërvihet propagandës që po vjen nga qarqet islamike dhe qarqet e BIA-s serbe, të cilat punojnë edhe përmes imamëve shqiptarë në Zvicër”, thotë Gashi, i cili jeton dhe punon në Zvicër.

Ai, megjithatë, nuk i ofroi Radios Evropa e Lirë prova të dokumentuara për t’i mbështetur këto pretendime.

Postimet dhe debatet që pasuan, u shoqëruan me qëndrime pro dhe kundër, por edhe me etiketime, fyerje dhe akuza ndërmjet përdoruesve të rrjeteve sociale.

BIK-u thotë se pikërisht kjo e ka shndërruar çështjen nga një rast që duhet trajtuar nga drejtësia në atë që e quan “fushatë të orkestruar” kundër institucionit dhe komunitetit mysliman.

“Po e helmojnë popullatën, po vënë në lajthitje njerëzit dhe, çka është më e keqja, bëjnë një fushatë kundër vetë popullit të Kosovës, kundër trashëgimisë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Ramadan Shkodra, zyrtar i BIK-ut.

Ai mohon se xhamitë në Kosovë janë ndërtuar jashtë procedurave ligjore.

“Asnjë xhami në Kosovë nuk është bërë pa leje të komunave, pa leje të BIK-ut dhe pa miratim të komunitetit. Të gjitha janë bërë në rrugë legale dhe me dosje të kompletuara. Le ta gjejnë vetëm një rast të kundërt dhe atë do ta shkatërrojmë me themel”, thotë Shkodra.

Sipas tij, edhe donacionet nga vendet mike të Kosovës apo nga individë vendorë kanë kaluar nëpër rrugë ligjore dhe mund të verifikohen nga institucionet shtetërore.

BIK-u e cilëson dokumentin “sajesë të hershme” dhe “pamflet ideologjik”, por kërkon që Prokuroria Speciale ta hetojë prejardhjen dhe vërtetësinë e tij deri në fund.

“Për mua është një paçavure… Unë shpreh një lloj habie se si njerëzit tanë, kinse me t’u ‘rizbuluar’ ky dokument nga telefoni i Shehollit, pa u lodhur fare e marrin si të mirëqenë, e marrin si fakt të kryer, si argument të rregullt. Ndërkaq, aty s’ka as institucion, datë, as nënshkrim dhe asgjë prapa”, thotë Shkodra.

Radio Evropa e Lirë u është drejtuar Policisë së Kosovës dhe Agjencisë Kosovare të Inteligjencës për të pyetur nëse institucionet e Kosovës kanë evidentuar ndonjëherë raste të financimit të xhamive, institucioneve apo aktiviteteve islame në Kosovë nga burime në Serbi dhe nëse ndonjë financim i tillë është lidhur me institucione shtetërore serbe, BIA-n apo struktura të tjera të sigurisë.

Por, deri në publikimin e këtij artikulli, REL-i nuk ka marrë përgjigje.

Kosova, përndryshe, është e definuar si shtet laik.

Në regjistrimin popullsisë, të mbajtur më 2024, 93.49 për qind e qytetarëve u deklaruan myslimanë, 2.31 për qind ortodoksë dhe 1.75 për qind katolikë.

Çfarë është provë dhe çfarë mbetet pretendim?
Për Institutin e Kosovës për Drejtësi, problematike është edhe mënyra se si materialet e aktakuzës kanë përfunduar në publik.

Aktakuza është shpërndarë nga media të ndryshme.

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, e konsideron “papërgjegjësi” ose “lëshim” faktin që materialet e aktakuzës kanë përfunduar në publik.

Ai thekson se materialet e paraqitura nga Prokuroria duhet të trajtohen si prova të pretenduara derisa ato të shqyrtohen nga gjykata.

“Kur në publik publikon informata të tilla, të cilat duhet të provohen në gjykatë, unë besoj se mund të kenë kundërefekt dhe janë kundër interesave strategjike të Kosovës”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, publikimi i aktakuzës dhe dokumentit të emërtuar “Top sekret 2” ka nxitur “hipoteza të paqëndrueshme”, keqinterpretime dhe ndarje mbi baza fetare.

Miftaraj thotë se një dokument i tillë ka qarkulluar në publik prej vitesh dhe ngre pyetjen pse institucionet nuk e kanë sqaruar më herët origjinën dhe autenticitetin e tij.

“Pse duhet të dalë në publik në këtë fazë, kur ne e dimë qartë që Serbia e ka mision publikun me të dhëna dhe informata, të cilat ngrenë dilema, shkaktojnë përçarje në mesin e popullit të Kosovës? Ne e kemi parë këto ditë në rrjetet sociale se çfarë rëndësie i kanë dhënë dhe si është interpretuar ky dokument nga grupe të ndryshme, për qëllime të ndryshme”, thotë ai.

Një material me përmbajtje të ngjashme ishte bërë publik edhe në korrik të vitit 2024 në një televizion vendor, ku pretendohej se shërbimi informativ serb kishte hartuar rreth 20 vjet më parë një plan për financimin e xhamive në Kosovë.

Edhe atëherë pretendimi kishte nxitur debat.

Kreu i BIK-ut, Naim Tërnava, kishte mohuar pretendimet dhe kishte thënë se, nëse dikush do të ofronte prova se ndonjë xhami në Kosovë ishte ndërtuar me investime nga Serbia, ai vetë do ta rrënonte atë.

Më 29 gusht të këtij viti, pas debatit të ri rreth dokumentit, Tërnava kërkoi nga autoritetet që ta hetojnë vërtetësinë e tij.

Ai tha se publikimi i materialeve të paraqitura si pjesë e aktakuzës ndaj Shehollit ka krijuar “një situatë që kërkon maturi, përgjegjësi dhe, mbi të gjitha, zbardhjen e plotë të së vërtetës”.

Rreziku i bartjes së përgjegjësisë te një komunitet
Sociologu Fadil Maloku paralajmëron për një tjetër pasojë të debatit: kalimin nga dyshimet ose përgjegjësia eventuale individuale në fajësim kolektiv.

Sipas tij, akuzat e ndërsjella të kampeve “pro dhe kundër dokumentit” mund të prodhojnë polarizim ndërfetar, pavarësisht se kush e ka hartuar dokumentin.

“Në gjykimin tim sociologjik, tendenca për përfshirjen e një institucioni dhe komuniteti fetar, pa pasur ende ndonjë verdikt definitiv gjyqësor, përveç tjerash, ka si imperativ dëmtimin, njollosjen, kontestimin, zbehjen, por edhe ushtrimin permanent të paragjykimit ndaj këtij institucioni”, thotë Maloku për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, rreziku është që një përgjegjësi eventuale individuale të shndërrohet, në perceptimin publik, në përgjegjësi të një komuniteti.

Ai thotë se ndjenja e të qenët nën sulm mund të prodhojë edhe atë që në sociologjinë e religjionit njihet si “solidaritet mbrojtës” – afrimin e anëtarëve të një grupi rreth identitetit të përbashkët kur e perceptojnë veten si të sulmuar.


Besimtarë myslimanë në një xhami në Prishtinë. Fotografi ilustruese nga arkivi.

“Të flitet me emra, jo me përgjithësime”
Edhe Mentor Vrajolli, drejtor i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, kërkon që debati të ndahet nga përgjithësimet për komunitetet fetare.

“Qasja e të gjithëve duhet të jetë përcjellja e punës së Prokurorisë. Nuk mund të flasim ne me emra të përgjithshëm, por duhet të fokusohemi në emra të përveçëm”, thotë Vrajolli për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, kjo duhet të vlejë edhe për individët dhe lëvizjet që në rrjete sociale akuzojnë BIK-un duke iu referuar dokumentit të publikuar.

Vrajolli vlerëson se BIK-u ka luajtur rol në ruajtjen e reziliencës shoqërore dhe në parandalimin e rrymave që mund ta cenojnë kohezionin shoqëror.

Por, ai paralajmëron se vetë debati i krijuar mund të ketë pasoja edhe në aspektin e sigurisë.

Sipas tij, çdo zhvillim që dëmton kohezionin shoqëror në Kosovë mund t’u shërbejë interesave të shteteve që e konsiderojnë Kosovën kundërshtare.

Për Vrajollin, një mënyrë për ta shmangur thellimin e debatit është sqarimi institucional i çështjes.

“Nuk besoj që ka pasur ndonjëherë ndonjë tendencë nga ana e institucioneve që të targetohet një grup i caktuar. Por, shpeshherë, për shkak të një heshtjeje, krijohen këto debate. Andaj, mendoj që është me rëndësi që qoftë Prokuroria, qoftë institucionet tjera të përfshira në rast, të japin sqarimet e duhura”, thotë Vrajolli.

Edhe Miftaraj paralajmëron se vazhdimi i përplasjeve me tone ndërfetare mund të dëmtojë bashkëjetesën dhe mirëkuptimin ndërmjet komuniteteve fetare.

Ndërsa, Maloku thotë se debatet e tilla duhet të trajtohen me qetësi, transparencë dhe gjuhë institucionale.

Në thelb, debati që ka prodhuar dokumenti ka lënë në plan të dytë pikërisht pyetjet që ende nuk kanë përgjigje institucionale: kush e ka hartuar atë, a është autentik dhe çfarë dëshmon realisht në rastin penal ku është paraqitur si provë.

Deri në sqarimin e këtyre çështjeve, pretendimet që burojnë nga përmbajtja e tij nuk mund të trajtohen si fakte të vërtetuara. /Rel

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
© infosot.com


“Prej Presidencës ke shku, në Presidencë kthehu”, Haradinaj: Kosova këtë ia ka borxh Hashim Thaçit

“Prej Presidencës ke shku, në Presidencë kthehu”, Haradinaj: Kosova këtë ia ka borxh Hashim Thaçit

Haki Abazi dorëzon kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj Albin Kurtit

Haki Abazi dorëzon kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj Albin Kurtit

Miftaraj: Nëse deri më 4 tetor nuk zgjedhet presidenti, Kosova kalon në anarki

Miftaraj: Nëse deri më 4 tetor nuk zgjedhet presidenti, Kosova kalon në anarki

Çun Lajçi del kundër Albin Kurtit: A s’u ngope me inatet e të tri partive? A s’the se ne s’jemi si ata?

Çun Lajçi del kundër Albin Kurtit: A s’u ngope me inatet e të tri partive? A s’the se ne s’jemi si ata?

Pyetet se çfarë do të ndërronte në Prishtinë vetëm një gjë, Përparim Rama: Albin Kurtin

Pyetet se çfarë do të ndërronte në Prishtinë vetëm një gjë, Përparim Rama: Albin Kurtin

Maliqi i drejtohet Kurtit: Babë, ti je material për Oscar

Maliqi i drejtohet Kurtit: Babë, ti je material për Oscar

Avdullah Hoti: Kosova nuk mund të vendoset nën diktatin e një njeriu të papërgjegjshëm

Avdullah Hoti: Kosova nuk mund të vendoset nën diktatin e një njeriu të papërgjegjshëm

Tri oferta me vetëm 49 euro diferencë, Komuna e Podujevës jep tenderin 104 mijë euro me negocim

Tri oferta me vetëm 49 euro diferencë, Komuna e Podujevës jep tenderin 104 mijë euro me negocim

Deda: Kosova po i afrohet shtetit të dështuar me shpejtësi marramendëse

Deda: Kosova po i afrohet shtetit të dështuar me shpejtësi marramendëse

Gjini: Aleanca nuk merr pjesë në seancën e së premtes, do t’i drejtohemi Kushtetueses

Gjini: Aleanca nuk merr pjesë në seancën e së premtes, do t’i drejtohemi Kushtetueses

Deda: Kosova po i afrohet shtetit të dështuar me shpejtësi marramendëse

Deda: Kosova po i afrohet shtetit të dështuar me shpejtësi marramendëse

Kurti: Të dakordohen partitë për nënkryetarët, synohet shmangia e zgjedhjeve të reja

Kurti: Të dakordohen partitë për nënkryetarët, synohet shmangia e zgjedhjeve të reja

Hamza pas dështimit të seancës: Lista Serbe dhe LVV po i bëjnë dëm vendit, PDK nuk përjashton veprimet ligjore

Hamza pas dështimit të seancës: Lista Serbe dhe LVV po i bëjnë dëm vendit, PDK nuk përjashton veprimet ligjore

Behrami: Serbia, Lista Serbe dhe Gjykata Speciale duan që më 16 shtator të mos ketë Kuvend, sot mund t’u bashkohet edhe VV-ja

Behrami: Serbia, Lista Serbe dhe Gjykata Speciale duan që më 16 shtator të mos ketë Kuvend, sot mund t’u bashkohet edhe VV-ja

Osmani s’e voton Simiqin për nënkryetar: Dihen arsyet pse

Osmani s’e voton Simiqin për nënkryetar: Dihen arsyet pse

Arrestohet në veri të Mitrovicës një person i kërkuar, ishte dënuar me 7 muaj burgim

Arrestohet në veri të Mitrovicës një person i kërkuar, ishte dënuar me 7 muaj burgim