Bota e showbiz e sidomos në Amerikë është një iluzion, ëndërr e cila pothuajse të gjithëve na ka kaluar njëherë në mendje. Një përqindje shumë e vogël njerëzish e benë këtë ëndërr realitet. Shqiptarët edhe pse në numër nuk janë aq madhor, kanë arritur të lenë gjurmë dhe të jenë pjesë e kësaj botë.
Personi i cili po e dominon botën e (makeup-it) në showbizin amerikan dhe më tej është në fakt shqiptar.
Mario Dedivanovic është grimieri personal i personalitetit më të famshëm në rrjetet sociale, Kim Kardashian. Mario punoi me personalitet më të njohura të showbizit, siç janë Jenniffer Lopez, Chanel Iman, Chrissy Teigen etj. Puna e tij u publikua në revistat me të njohura botërore, një nga ato është edhe revista me prestigjioze e modës “Vogue”.
Edhe pse Mario po e jeton jetën e famshme, ai gjeti kohe të vizitojë vendlindjen e prindërve të tij Malësinë dhe shtetin amë Shqipërinë. Ajo që na mahniti dhe më shumë ishte njohuria e gjuhës shqipe që kishte. Mario e fliste gjuhën shqipe rrjedhshëm. Me një thjeshtësi dhe ngrohtësi ai e ndau kohën nga një bashkim familjar për të na u përgjigjur në disa pyetje:
Mario, na trego si të lindi interesimi për grim/makiazh?
Mario: Une kisha një dashuri për artin, arkitekturën, histori të artit që nga fëmijëria dhe duke i eksploruar këto u njoha me artin e grimit të cilin e studiova për 6-7 vite. Mësova për historinë e grimit dhe pastaj vazhdova me tutje.
Si e fillove karrierën?
Mario: Së pari fillova të punoj në dyqanet e grimit dhe pastaj fillova të asistoj grimerë dhe të punoj me fotograf.
Kur ndodhi hapi i parë drejt suksesit?
Mario: Hapi i parë që më hapi rrugën e suksesit ndodhi kur isha 21 vjeçar. Agjentet më vërejtën dhe kështu së pari bëra kontratë me një agjent dhe më vonë filloi puna me yje.
Çfarë konsideron si kulminacion të karrierës?
Mario: Së pari kontratën me agjencinë dhe pastaj punën me Kim Kardashian.
A u ndjeve ndonjëherë se nuk mundesh më dhe është koha të dorëzohesh?
Mario: Jo asnjëherë. Duke qenë se prindërit e mi janë pak sa më konservativ ata nuk ishin shumë të lumtur kur dëgjuan për punën që bej. Tri vitet e para e bëra punën pa dijen e prindërve. Kur vendosa se kjo punë ishte pasioni im u thashë se do të vazhdoj. Prindërit e mi ishin motivi kryesor, isha këmbëngulës që ti bëj krenar me mua.
A ke menduar ndonjëherë të mbash një “Master Class” (kurs grimi) në trojet shqiptare?
Mario: Po, kam menduar dhe besoj se në dy vitet e ardhshme do të organizoj seminare në Malësi-Tuz, Tiranë dhe Prishtinë.
Gabimi më i madh që e bëjnë femrat gjatë aplikimit të grimit?
Mario: Shkrirja jo e mirë e grimit, si në fytyrë ashtu edhe në sy.
Numëro tri gjera që çdo femër duhet ti mbajë në çantën e grimit?
Mario: Beauty Blender, kthyesen e qerpikëve si dhe tushin e qerpikëve.
Çfarë të inspiron?
Mario: Inspirimin e marr nga arti, pikturat, dizajni, moda, natyra dhe arkitektura.
Klientja e preferuar (qesh)?
Mario: (qesh) Kim Kardashian natyrisht. Jemi shumë të afërt, e kam si motër.
Ti ke shëtit botën, si të duket Malësia-Tuzi dhe Shqipëria?
Mario: Është e vërtet, kam qenë gjithandej po Shqipëria është vendi më i bukur që kam parë. Malësia gjithashtu është mbresëlënëse. Ndjej një lidhje emocionale me këtë vend dhe do të mundohem ta vizitoj më shpesh.
E diçka që nuk të pëlqeu këndej a ka?
Mario: E vetmja gjë që më shqetësoi ishte kur arrita në Podgoricë dhe në aeroport autoritet malazeze më maltretuan për më se një orë rreth grimit që kisha me vete. Unë udhëtoj shumë dhe kjo nuk më ka ndodhur ndonjëherë.
Për të gjitha shtet fqinje që disa herë të kanë quajtur “i tyre”, a ke diçka për tu thënë?
Mario: Po. Unë jam 100% SHQIPTAR.