Kush i përfaqëson shqiptarët e protestës?

E publikuar: 17/05/2015 20:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mero Baze

Politikanët shqiptare në Maqedoni, iu shmangën sot pjesëmarrjes në protestën e madhe të opozitës, duke iu shmangur kështu dhe objektivit kryesor të asaj proteste, që është rrëzimi i kryeministrit Nikolla Gruevski. Arsyetimet formale të Ahmetit, Thaçit dhe të tjerëve, janë se ky është një problem i maqedonasve dhe më tej bëjnë analogjinë nacionaliste se të gjithë maqedonasit janë njësoj të këqinj për shqiptarët.

Këtë e thonë disa njerëz, të cilët kanë vite që janë vënë në radhë para derës së Gruevskit për të kuptuar kë do më shumë ai dhe që pas përgjimeve, del që kanë bërë dhe betime të tjera më rrënqethëse.

Mbi të gjitha, këtë e bëjnë disa politikanë, që sa herë vendi i ka dashur të jenë patriotë, ata kanë qenë kolaboracionistë me qeverinë maqedonase dhe tani që po u kërkohet të jenë bashkëpunues me opozitën maqedonase, po shtiren si nacionalistë.

Së pari, për shqiptarët në Maqedoni duhet folur hapur, se ata janë pjesë e një shteti, i cili duhet të ketë orientim të qartë perëndimor, objektiv të qartë futjen në NATO dhe Bashkimin Europian dhe respektimin e Marrëveshjes së Ohrit. Nikolla Gruevski është armik i shtetit të tyre, pikësëpari se është një antiperëndimor, që nëse vjen fjala për nacionalizëm, i konkurron realisht dhe cilësisht liderët e shtirur shqiptar. Të jesh nacionalist shqiptar në Maqedoni do të thotë ta detyrosh atë shtet të bëhet pro-perëndimor dhe të garantosh liritë e tua nën një ombrellë të sigurtë perëndimore dhe jo të dalësh kaçak maleve. Për këtë shkak, shtirja  e tyre si nacionalistë, kur kërkohet të largohet nga pushteti një nacionalist maqedonas është jo vetëm tradhti ndaj shqiptarëve, por dhe një mungesë historike përgjegjësie.

Në sheshin qëndror të Shkupit, aty ku Gruevski ka fabrikuar një nacionalizëm fallco për të qëndruar në pushtet, flamuri shqiptar është pranuar nga maqedonasit dhe lideri i opozitës është fotografuar me të. Oratorët shqiptarë që kanë folur si shqiptarë janë duartrokitur dhe jo fëshkëllyer si më parë. Kjo është një betejë për demokracinë në Maqedoni, një betejë që më shumë se sa maqedonasve, u intereson shqiptarëve. Ata mund të jenë pjesë e Maqedonisë vetëm nëse ajo është një shtet demokratik properëndimor. Ata që mungojnë në një protestë kundër një armiku të demokracisë dhe Perëndimit, ata dhe nëse ja dalin të jenë zotë të shqiptarëve, do të jenë më të këqinj se një maqedonas ose serb. Siç nuk ka ndodhur rrallë mes nesh.

Së dyti, ka një vendosmëri të pashembullt të liderëve shqiptarë, për të ruajtur ngastrat e tyre të pushtetit në Maqedoni, pasi mendojnë se janë më shumë të rrezikuar nga shqiptarët që kërkojnë ndryshime politike, sesa nga maqedonasit që duan të ruajnë pushtetin që kanë. Duhet të jemi të qartë se Nikolla Gruevski vrau në Kumanovë jo vetëm shqiptarë, por dhe maqedonas, madje policët e tij, vetëm se ai donte një kauzë false për një pushtet të korruptuar. Dhe të mos jesh kundër tij sot, do të thotë të jesh si ai. Liderët politik shqiptar që i qëndruan larg protestës, shikojnë tek ndryshimet politike në Maqedoni rrezik për karrierën e tyre politike dhe janë më shumë të kënaqur si të parët e katundit, sesa si faktor i fuqishëm politik në Maqedoni. Bashkimi i votave të tyre me Zaevin do të rriste fuqinë politike të opozitës, por mbi të gjitha të shqiptarëve, dhe do të kishin një ofertë të vetme politike përballë maqedonasve. Ky është patriotizëm real dhe jo kolaboracionizmi në heshtje me Gruevskin. Shqiptarët që janë sot në protestë në Shkup, bashkë me Gruevskin po rrëzojnë dhe feudalët shqiptarë në politikë.

Së fundmi, thirrjet që Tirana dhe Prishtina të ndikojnë mbi këtë situatë, nuk funksionojnë. Faktori politik shqiptar në Tiranë dhe Prishtinë ka raporte normale, por me Maqedoninë ka probleme dhe Tirana, dhe Prishtina, pasi Menduh Thaçi dhe Ali Ahmeti duan vetëm mbështetje për të qëndruar në pushtet dhe jo këshilla për tu fuqizuar si faktor shqiptar. Kjo shikohej qartë dhe tek bajraktarllëku i demonstruar në Pogradec, ku problemi më i madh ishte si të mos takoheshin me njëri-tjetrin, sesa për çfarë do flisnin. Dhe për t’u dhënë fund alibive dhe spekulimeve duhet ta themi hapur se në Tiranë, së paku në Tiranë, nuk ka asnjë interes elektoral dhe nuk fiton dot asnjë pike, nëse merresh me Ali Ahmetin dhe Menduh Thaçin. Në Tetovë po, mund të fitosh pikë po dole në foto me Edi Ramën, Ilir Metën, Sali Berishën apo Fatos Nanon, por në Tiranë vetëm në humbsh ndonjë pikë po të pane në foto me Thaçin apo Ahmetin.

Në këtë pikë, nuk ka asnjë kuptim që të vish deri në Pogradec për të bërë fotografi dhe pastaj kur të kthehesh në Tetovë të thuash duke ngrënë qebap, se na deshën për fushatë elektorale. E vetmja fushatë elektorale reale për të cilën ka nevojë dikush për Ali Ahmetin apo Menduh Thaçin është sheshi i Shkupit, aty ku duhet të rrëzohet një qeveri antiperëndimore, që bie ndesh me interesat strategjike të shqiptarëve në Maqedoni. Kush i përfaqëson shqiptarët që janë sot në Shkup? E sigurt është se askush nga politikanët që rrijnë në qebaptoret e Tetovës. Ja që këtu kane nisur të humbasin.