Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se pas ndërtimit të murit në Veri të Mitrovicës pranë urës së lumit Ibër, kanë qenë kategorik që ai të rrëzohet dhe se kanë refuzuar çdo variant tjetër, ani pse ka mundur të vijë nga vet Bashkimi Europian, njofton Klan Kosova.
“Qeveria e Kosovës dhe të gjitha instancat, presidenti dhe kryetari i kuvendit në emër të institucioneve shtetërore, kemi refuzuar të gjitha opsionet që BE-ja ka propozuar për çështjen e murit. Çështja është e mbyllur”, ka deklaruar Tahiri, në seancën e jashtëzakonshme për këtë cështje në Kuvendin e Kosovës.
“Nuk ka bisedime për këtë çështje, muri do te rrënohet”.
Tahiri ka thënë se ka hapësirë që procesi i dialogut të kritikohet, por assesi nuk duhet që të hidhen poshtë të arriturat e tij.
“Për disa që nuk po i shohin rezultatet të dialogut po ju them edhe njëherë cilat janë ato; Shtrirja e sovranitetit në shumë fusha në vend, largimi i diskursit që kemi dëgjuar për ndarje të Kosovës, po shtrijmë institucionet në këtë pjesë të vendit, si dhe dialogu ka ndihmuar që pesë vendet mosnjohëse të mbështesin rrugën e integrimeve europiane”.
“Andaj i ftoj të gjithë ata deputet që kanë fakte që mohojnë këto rezultate por jo vetëm fjalë, te flasin në Kuvend”.
“Ky provokim (muri) nuk është as i pari as i fundit, ne po shohim një dinamikë të re në marrëdhëniet ndërkombëtare, agjenda gjeopolitike po ndërron, dhe paqartësia e Serbinë se a dëshiron Brukselin apo Mosken po i krijojnë këto provokime”, pohoi Tahiri.

















