Trupi gjykues në rastin e sulmit ndaj kanalit të Ibër-Lepencit ka aprovuar propozimet e mbrojtjes për dëgjimin e dëshmitarëve, të cilët, sipas avokatëve, do të ndihmojnë në vërtetimin e rrethanave të ngjarjes dhe të vendndodhjes së të akuzuarve në kohën e shpërthimit, raporton Ekonomia Online.
Gjatë seancës, avokati i Dragisha Viqentijeviqit, Millosh Deloviq, ka kërkuar dëgjimin e një eksperti të FBI-së, ndërsa prokurori Bekim Kodraliu i ka kundërshtuar këto propozime, me arsyetimin se mund të zvarrisin procedurën.
Deloviq ka thënë se mbrojtja kërkon të dëgjojë ekspertin e FBI-së, i cili, sipas tij, ka përgatitur një raport lidhur me gjurmët e dheut të gjetura në vendin e shpërthimit.
“Mbesim që të dëgjohet eksperti i FBI-së, i gjeologjisë”, tha ai.
Prokurori Bekim Kodraliu ka kundërshtuar kërkesat e mbrojtjes, duke theksuar se gjatë hetimeve janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe se angazhimi i dëshmitarëve të tjerë do ta zgjaste procedurën.
“Ne si prokurori i kundërshtojmë propozimet e palës mbrojtëse. Në këtë hetim penal kanë qenë të angazhuar edhe partnerët ndërkombëtarë. Gjatë fazës së hetimeve kemi marrë hapat e nevojshëm. Kemi vërtetuar përtej dyshimit se këta dy të pandehur janë kryes të kësaj çështjeje penale. Çdo dëshmitar tjetër që propozohet nga pala mbrojtëse do ta prolongojë procedurën penale”, tha ai.
Në anën tjetër, Deloviq ka insistuar në dëgjimin e ekspertit të FBI-së, duke pretenduar se raporti i tij përbën një nga provat kryesore të Prokurorisë në raport me të mbrojturin e tij.
“Nga fillimi i këtij shqyrtimi unë nuk kam pasur as dëgjuar asnjë provë të Prokurorisë që është administruar në drejtim të fajësisë së Dragishës. E vetmja provë është dëshmia e FBI-së. Ai ekspert i FBI-së supozohet se ka vërtetuar se toka ose kanali ku ka ndodhur eksplodimi, dheu nga çizmet po përputhen. Dhe, nga e lartcekura, është e lartë rëndësia që ky ekspert të dëgjohet, se ne si mbrojtje kemi shumë pyetje në lidhje me këtë raport”, tha ai.
Kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, ka kërkuar nga avokatët që të specifikojnë dëshmitarët që dëshirojnë t’i dëgjojnë dhe të paraqesin arsyetimin për secilin prej tyre, përfshirë edhe adresat.“Lidhur me propozimin e mbrojtësve për dëgjimin e dëshmitarëve dhe provave të tjera materiale, mbrojtja i ka dhënë në fazën e mbledhjes së dëshmive, tani jemi në fazën e shqyrtimeve gjyqësore. Andaj, i ftoj avokatët, secilin veç e veç, t’i potencojnë emrat e dëshmitarëve që dëshirojnë t’i dëgjojnë në këtë procedurë, sikurse edhe t’i sigurojnë adresat e tyre, të konstatohen emrat e dëshmitarëve dhe arsyeshmëria e tyre”, tha Ismaili.
Avokati i Jovan Viqentijeviqit, Nebojsha Vllajiq, ka insistuar në propozimet e tij për dëgjimin edëshmitarëve, të cilat, sipas tij, i kishte dorëzuar më 16 mars të këtij viti. Ai ka propozuar dëgjimin e Tijanës dhe Bejan Viqentijeviq, si dhe të Tribun Vojeviqit.
Sipas Vllajiqit, dy dëshmitaret e para janë nipi dhe mbesa e të akuzuarit Jovan Viqentijeviq, në shtëpinë e të cilëve ai kishte qëndruar me shoqërinë e tyre ditën kritike. Ndërsa dëshmitari i tretë, sipas avokatit, kishte një market në afërsi të vendit ku pretendohet se kishte ndodhur shpërthimi.
“Kur në Tribunalin e Hagës mbrojtja propozon dëshmitarë, gjyqtari i shtron dy pyetje: sa i keni dhe sa kohë ju duhet. Nuk ka çfarë prokurori publik t’i aprovojë. Më datën 16.03 të këtij viti, ia kam dorëzuar gjyqtarit parashtresën, ku kam propozuar dëshmitarë, kam dhënë edhe adresat dhe kam propozuar provat e reja. Mbetem te parashtresa. Dëshmitarët janë Tijana dhe Bejan Viqentijeviq. Ata janë nipi dhe mbesa e Jovanit, dhe Jovani ka qenë tek ata në shtëpi, me shoqërinë e tyre, në ditën kritike. Adresa është lagjja Jesha në Zubin Potok. Dëshmitari i tretë është Tribun Vojeviq. Ai menjëherë aty, në atë lagje, e ka marketin dhe i pandehuri në atë kohë ka shkuar tek ai”, tha ai.
Ndërkaq, avokati Millosh Deloviq ka hequr dorë nga propozimi për dëgjimin e Dragan Rakoviqit, me arsyetimin se, sipas informatave të tij, ai nuk jeton më në Kosovë. Ai ka kërkuar që të dëgjohen tre dëshmitarë të tjerë, të cilët, sipas tij, do të dëshmojnë për lëvizjet e Dragisha Viqentijeviqit dhe vendndodhjen e tij në kohën e shpërthimit.
“Ka një ndryshim, po heqim dorë për dëshmitarin Dragan Rakoviq, sepse, sipas dijenisë sime, ai më nuk jeton në Kosovë. Këta (tre dëshmitarë te tjerë) duhet të dëgjohen në rrethana të ngjarjes, duhet të dëshmojnë lëvizjet e të pandehurit Dragisha, si dhe rrethana të tjera për shkak të vërtetimit të plotë të gjendjes faktike. Këta dëshmitarë do të vërtetojnë që Dragisha në kohën e eksplodimit ka qenë në një vend tjetër, pra në largësi me kilometra nga vendi i eksplodimit”, tha ai.
Në fund, kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, njoftoi se propozimet e mbrojtjes për dëgjimin e dëshmitarëve janë aprovuar. Seanca e radhës është caktuar për 19 tetor, në orën 13:15.
Prokuroria Speciale, pas një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë Kundër Terrorizmit, dhe partnerët evropianë, ka ngritur aktakuzë ndaj Jovan dhe Dragisha Viqentijeviqit, si dhe Igor Dimoviqit, për veprat penale të rrezikimit të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike, kryerjes së veprës terroriste, armëmbajtjes pa leje dhe spiunazhit.
Sipas aktakuzës, më 29 nëntor 2024, në fshatin Varagë të Zubin Potokut, në pjesën e kanalit të Ibër-Lepencit, Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv të llojit TNT, të cilin më pas e kanë aktivizuar.
Prokuroria pretendon se nga shpërthimi është dëmtuar rëndë struktura e kanalit, është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm, është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike dhe ndërmarrjes Ibër-Lepenc i është shkaktuar dëm në vlerë prej 376 mijë e 774 eurosh e 70 centësh.
Jovan Viqentijeviq akuzohet edhe për spiunazh, ndërsa Igor Dimoviq për armëmbajtje pa leje.




























