Gjykata Kushtetuese ka vendosur lidhur me kërkesat e deputetëve të PDK-së, duke konstatuar se Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh, ndërsa ka vlerësuar se zgjedhja e Qeverisë së Kosovës më 13 shtator 2026 nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.
Në aktgjykimin e publikuar më 23 shtator 2026, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar gjithashtu se deputetët duhet që sa më parë të zgjedhin nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në pajtim me Kushtetutën.
Kërkesat kishin të bënin me vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, vendimit procedural për mënyrën e votimit të nënkryetarëve, konstatimit për konstituimin e Legjislaturës së 11-të të Kuvendit, si dhe vendimit për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës.
Në vendimin e saj, Gjykata ka konstatuar se kalimi i afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, të përcaktuar me nenin 66 të Kushtetutës, ka për pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit, kur posti është vakant, dhe për zgjedhjen e Qeverisë, sipas dispozitave përkatëse kushtetuese.
Ndërkaq, sa i përket Qeverisë së Kosovës, Kushtetuesja ka konstatuar se Vendimi nr. 11-V-007, i 13 shtatorit 2026, për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, nuk është në kundërshtim me nenin 95 të Kushtetutës.
Një nga konstatimet e Gjykatës lidhet drejtpërdrejt me kërkesën e PDK-së për përfaqësimin në kryesinë e Kuvendit. Kushtetuesja ka konstatuar se deputetët duhet që sa më parë të zgjedhin nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në pajtim me paragrafin 3 të nenit 67 të Kushtetutës.
Gjykata ka përcaktuar gjithashtu se afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026.
Kushtetuesja ka refuzuar kërkesën për masë të përkohshme.
Në fund, Gjykata ka bërë të ditur se aktgjykimi hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga Gjykata Kushtetuese.




























