Profesori dhe avokati i njohur britanik, Geoffrey Nice, në një intervistë ekskluzive për T7 ka thënë se që nga Raporti i Dick Martyt, kishte indikacione se Gjykata Speciale ishte politike dhe se kishte objektiva politike.
“Para së gjithash, unë jam marrë me këtë çështje për rreth 15 vjet. Fillimisht nuk jam angazhuar nga Kosova, por krejtësisht në mënyrë të pavarur, nga një revistë letrare, dhe kam arritur në përfundimin se kishte diçka befasuese dhe ndoshta politike, e jo thjesht juridike, në atë që po ndodhte me Raportin e Martyt, për të cilin ju dhe shikuesit tuaj mund të dini diçka. Bëhej fjalë për një raport të cilit iu referuan në Këshillin e Evropës, ku pretendohej se Thaçi dhe të tjerë kishin qenë të përfshirë në marrjen me forcë të organeve”, ka thënë për T7 ish-Prokurori i Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavi që ndoqi Millosheviqin.
“Që nga ai moment, kishte tregues se kjo gjykatë ishte politike, në kuptimin se drejtohej nga objektiva politike që nuk ishin të qarta. Aktgjykimi i shpallur dje është një përmbledhje. Si dokument zyrtar, ai nuk është shumë i dobishëm, sepse përmbledhja bën pohime kategorike dhe nuk identifikon prova konkrete, për shembull, që i lidhin të akuzuarit me krimet për të cilat gjykata thotë se janë provuar”, deklaroi ai .
Ai ka thënë se për komente e analiza më të detajshme duhet të pritet aktgjykimi i plotë pasi që shumica e gjërave kanë ndodhur në seanca të mbyllura.
“Do të na duhet të presim një kohë të gjatë edhe për versionin e redaktuar të aktgjykimit të plotë, ndërsa aktgjykimi i plotë, për shkak të sasisë së madhe të provave që janë paraqitur në seanca të mbyllura, mund të mos jetë i disponueshëm për publikun e gjerë për dhjetëra, apo ndoshta edhe njëqind vjet. Thjesht nuk e dime”, ka shtuar Nice.




























